Vaksinat e ‘Pfizer’ vijnë në Kosovë javën tjetër

  • G.G /
  • 30 April 2021 - 14:41
Vaksinat e ‘Pfizer’ vijnë në Kosovë javën tjetër

Vaksinat anti-COVID të prodhuesit “BioNTech/Pfizer” do të mbërrijnë në Kosovë javën e ardhshme.

Kjo u konfirmua nga Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili tha se do të vizitojë Ballkanin Perëndimor gjatë javës së ardhshme, kur edhe, sipas tij, vijnë në rajon vaksinat e ndara dhe të financuara nga Bashkimi Evropian.

“Do të udhëtoj në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, teksa vaksinat e para të financuara nga BE-ja mbërrijnë në rajon. 651.000 doza të vaksinës ‘BioNTech/Pfizer’ do të shpërndahen nga maji deri në gusht, për t’u dhënë shtytje fushatave të vaksinimit. Ne kujdesemi”, shkroi Varhelyi në Twitter.

Më 20 prill Komisioni Evropian dhe Austria njoftuan se 651.000 doza “BioNTech/Pfizer” do të shpërndahen në rajon pjesë-pjesë nga fillimi i majit deri në gusht. Këto vaksina do të ndihmojnë në përshpejtimin e fushatave të vaksinimit, për t’u siguruar se të gjithë punonjësit shëndetësorë të vijës së parë dhe disa nga grupet më të cenueshme do të vaksinohen.

“Do të udhëtoj për në Ballkanin Perëndimor për të dërguar një mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Kujdesemi shumë për partnerët tanë, kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe për grupet më të cenueshme. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar mbështetje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Më të fortë së bashku”, tha Varhelyi.

Vaksinat janë financuar nga pakoja 70-milionëshe e miratuar nga Komisioni Evropian dhjetorin e vitit 2020 për të ndihmuar në mbulimin e kostove të vaksinave, të siguruara nga marrëveshjet e hershme për blerje nga BE-ja për partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave përmes aranzhimeve ligjore me prodhuesin dhe me secilin partner të Ballkanit Perëndimor. Shpërndarja e tyre është e bazuar në nevojat epidemiologjike. Këto vaksina vijnë mbi ato të siguruara nga mekanizmi COVAX, ku BE-ja është një prej kontribuuesve kryesorë me rreth 2.5 miliardë euro nga “Team Europe”.

Komisionari Varhelyi do ta nisë vizitën e tij të hënën pasdite në Serbi, për të vazhduar më pas në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni Veriore të martën.

Ndërsa të mërkurën do të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë.

“Gjatë qëndrimit të tij në rajon ai do të diskutojë me autoritetet reagimin ndaj pandemisë, si dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se sasinë më të madhe të këtij kontingjenti të vaksinave do ta marrë Bosnje e Hercegovina, (214.000), pastaj Shqipëria (145.000) dhe Maqedonia Veriore (119.000). Kosova do të pranojë 95.000 vaksina, kurse Mali i Zi 42.000 doza. Serbia është e fundit me 36.000 doza të planifikuara pasi gjendet ndër vendet që qëndron mirë me fushatën e imunizimit të qytetarëve.

(Kosova Sot Online)