Pas kritikave, Joe Biden e rrit numrin e refugjatëve që do të pranohen në ShBA

  • E.K /
  • 04 May 2021 - 09:14
 Pas kritikave, Joe Biden e rrit numrin e refugjatëve që do të pranohen në ShBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka rritur numrin vjetor të refugjatëve që do të lejohen për të hyrë në Shtetet e Bashkuara pas kritikave nga partia e tij, kur vendosi që ta mbante në fuqi shifrën e vendosur nga paraardhësi Trump.

Presidenti demokrat do ta rrisë numrin vjetor të refugjatëve të pranuar nga 15.000 në 62.500 pas reagimeve të ashpra të progresistëve dhe agjencive të refugjatëve, shkruan BBC.

Raportet thonë se shefi i Shtëpisë së Bardhë ishte i shqetësuar për ta rritur numrin e refugjatëve në kohën kur në kufirin me Meksikën ka shifra rekorde të njerëzve që po mundohen të hyjnë në ShBA.

Megjithatë, presidenti amerikan tha se synon që vitin e ardhshëm ta rrisë numrin e refugjatëve të pranuar në 125.000, duke shtuar se shifra e ulët, që ishte vendosur nga Trumpi, nuk i pasqyron vlerat e Amerikës.

Administrata e Bidenit është akuzuar se po mundohet t’ia lë fajin administratës Trump për “çmontimin” e sistemit të imigrimit në kufirin me Meksikën.

Ish-presidenti Trump gradualisht e kishte ulur shifrën vjetore të refugjatëve që pranohen nga 110.000, sa ishte gjatë kohës së ish-presidentit Obama, në shifrën më të ulët ndonjëherë – 15.000.

(Kosova Sot Online)