Servilët e kuislingut Thaçi, me shantazhe kundër Qeverisë Kurti

Servilët e kuislingut Thaçi, me shantazhe kundër Qeverisë Kurti

Gani Qarri

  • 04 May 2021 - 07:49

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri 

Përmes  taktikes bizare, ato po planifikojnë që jo vetëm të mos përgjigjen për fajet në të kaluarën, por pastaj edhe ta akuzojnë Qeverinë aktuale, kinse për paaftësi të përballjes  me Serbinë , për të mbuluar veprimet e tyre anti-Kosovë me të cilat e kanë sjellë në këtë situatë vendin, në bisedimet e deritashme, të pa përgatitura dhe pa asnjë plan as platformë të harmonizuar, duke iu nënshtruar, që nga fillimi deri në fund, vetëm agjendave të imponuara nga Vuçiqi dhe biseduar vetëm për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, gjithmonë e çdo herë, vetëm sipas dëshirave dhe interesave të Serbisë okupatore!

Sa më shumë që po afrohet 25 korriku, data kur bëhen plot tri vjet, qysh kur me 2018, renegati Hashim Thaçi, në Alpbach të Austrisë kërkoi publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, partitë e inkriminuara opozitare që ishin vazhdimisht në pushtet dhe me kërkesa të tilla tradhtare e marrëveshje kuislinge me Serbinë, vitet e fundit vunë në pikëpyetje edhe ekzistencën e mëtejme të Kosovës si shtet i pavarur, tanimë kanë filluar ta humbin tërësisht jo vetëm arsyen, por edhe kontrollin në sjelljet dhe veprimet e tyre.

Madje, sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, pak ditë më parë, miku i Vuçiqit dhe Thaçit, Edvin Kristaq Rama, i deklaroi medias shqiptare se ai jo vetëm që kishte parë hartën më të re por edhe kishte lexuar letrën jo-zyrtare, të ashtuquajtur "non-paper" me propozimet për lëvizjen e kufijve, gjë që lë të nënkuptohet se Rama bashkë me Thaçin dhe Vuçiqin, është i përzier drejtpërsëdrejti edhe në këtë aferë të pistë.

Për aq më tepër, këtë e vërteton edhe gazeta austriake "Der Standard", e cila me të drejtë vë në spikamë dhe na rikujton edhe një herë se ishte vet Edvin Kristaq Rama së bashku me Vuçiqin dhe Thaçin, të cilët miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës e Serbisë edhe tri vite më parë, kur kuislingu Hashim Thaçi me 25 korrik të vitit 2018, në Alpbach të Austrisë kërkoi personalisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës.

Shto kësaj edhe faktin tjetër trishtues se kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në Brukesl ku ishte për takime me zyrtarët më të lartë të BE-së, deklaroi se ka mësuar edhe shumë detaje të reja, të cilat deri më tani nuk i dinte ai, as populli i Kosovës, mbi marrëveshjet renegate të qeverive të kriminalizuara me Serbinë, i ka tërbuar fare krerët e partive të inkriminuara, sa që nuk po dinë më as, se si të mbrohen nga veprat e tyre makabre dhe frika se së shpejti duhet të dalin edhe para drejtësisë.

Kështu që, po shihet hapur se këtu ka gjëra të cilat, jo vetëm që do ti qojnë krerët e opozitës në bankën e të akuzuarave për tradhti, por lëshimet e tyre, do ta vështirësojnë shumë edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, për të cilat përgjegjësinë do ta bartin partitë e kriminalizuara që nënshkruan marrëveshje kaq të dëmshme në kurriz të vendit dhe me rreziqe të paparashikuara për shtetësinë e Kosovës.

Ndaj partitë e kriminalizuara, si përgjegjësi-mbajtëse, të këtyre shkeljeve kushtetuese e ligjore, të alarmuara nga deklaratat e Kurtit prej Brukselit, vrapuan pa respektuar as radhën e deklarimeve zyrtare, duke u turrur të japin secila para tjetrës, sqarime krejt tjetër-kahëshe arsyetuese, ani pse nuk i përmendi askush me emra as nuk kërkoi sqarime, ato i dinin vet fajësitë e tyre.

Për aq më tepër, partitë e kriminalizuara politike të opozitës së tanishme, si ish pushtetarë të mandateve të kaluara, nga frika e rrjedhjes së detajeve tjera të panjohura antiligjore dhe antikushtetuese kundër popullit dhe shtetit të Kosovës, kanë nisur ta luajnë lojën e djallit, që para fillimit të dialogut me Serbinë, me shpresën e mjegullimit të bëmave të veta kundërshtetërore, për të cilat tanimë ka ardhur momenti të përgjigjen penalisht.

Dhe po këto parti të inkriminuara deri në fyt, të cilat vetëm disa muaj më parë, kërkonin me ngulm heqjen e masave të reciprocitetit nga Qeveria Kurti-1, tani mu para rifillimit të dialogut të kërkuar nga SHBA dhe BE, kërkojnë edhe më me këmbëngulje rivendosjen e reciprocitetit me Serbinë, nga Qeveria Kurti-2, me shpresën se vetëm në këtë mënyrë, do të mund të bllokohen bisedimet me Serbinë, dhe të palarat e tyre në kurriz të popullit dhe shtetit të Kosovës, do të ngelen edhe për një kohë, të panjohura për publikun dhe qytetarët e Kosovës.

Partitë e njëjta që sot kritikojnë Kurtin për mos rivendosjen e reciprocitetit para fillimit të dialogut me Serbinë, e sidomos LDK, vetëm disa muaj më parë e prishi edhe koalicionin me VV-në, pikërisht për shkak të refuzimit nga kryeministri Kurti, për heqjen e masave të reciprocitetit pa kushte ndaj Serbisë, duke rrëzuar me mocion edhe Qeverinë, mu në kohë pandemie, me pretekstin se heqjen e reciprocitetit e kërkonin aleatët amerikan dhe evropian?!

Ndaj kjo është edhe një lojë tjetër, tepër e pistë e ish partive të inkriminuara, si përgjegjësi-mbajtëse të dialogut me Serbinë, të cilat duket se e kanë dëmtuar aq shumë Kosovën, sa që pasojat e rënda të tyre, mund të shihen vetëm pas rifillimit të dialogut, nga Qeveria e re, ndaj dhe po përpiqen që duke u distancuar nga partia në pushtet të ikin sa më larg nga përgjegjësitë për të cilat po afrohet momenti përfundimtar, që të japin llogari para ligjit, për marrëveshjet e dëmshme në kurriz të Republikës së Kosovës.

Pra të gjitha këto manovrime, duket se do të jenë përpjekjet e fundit, të opozitës së inkriminuar në mënyrë që përmes taktikës për ta lënë të vetëm kryeministrin Kurti dhe ekipin e ri, në ballafaqim me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar, ti ikin përgjegjësisë penale dhe dënimit që mund të marrin nga drejtësia e reformuar, për shkeljet kushtetuese e ligjore, në dëm të popullit dhe shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".