A ka filluar zëvendësimi i mësueseve shtatzëna?

  • A.P /
  • 07 May 2021 - 21:32
A ka filluar zëvendësimi i mësueseve shtatzëna?

Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë që një numër i studentëve tashmë janë angazhuar.

Tri mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, janë duke pritur që t’i zëvendësojnë studentët e Fakultetit të Edukimit.

Kjo për shkak të një vendimi të Ministrisë së Arsimit, që mësimdhënëset shtatzënë të lirohen nga puna me prezencë fizike, për shkak të pandemisë.

Mirëpo sipas Pllanës nga Sindikata e Arsimit, mënyra e zëvendësimit të tyre nuk është e duhura.

E sipas dekanit të Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi tashmë është siguruar lista e studentëve që do të kryejnë këtë angazhim.

Por këta studentë nuk do të kompensohen për punën që pritet të kryejnë, megjithatë kjo periudhë do t’iu llogaritet si përvojë profesionale.

Edhe Saqipi thotë se do të ishte zgjidhje më e lehtë që të angazhohen tashmë të diplomuarit nga ky fakultet.

Brenda vitit këtu diplomojnë rreth 400 studentë.

Megjithatë sipas ministres së arsimit, Arbërie Nagavcit, Mësimdhënëset shtatzëna zyrtarisht janë në punë dhe është e pamundur të ketë punësime të reja për të njejtat pozita.

E pyetur, ajo gjatë së premtes ka thënë që zëvendësimi me studentët e Fakultetit të Edukimit është duke ndodhur.

Janë 400 mësimdhënëse të cilat do të lirohen nga puna me prezencë fizike nëpër shkolla.

(Kosova Sot Online)