Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, infermierët përmendin sfidat financiare në Kosovë

  • G.G /
  • 12 May 2021 - 11:40
Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, infermierët përmendin sfidat financiare në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, ka bërë të ditur se vetëm gjatë pandemisë COVID-19, 11 kolegë të tyre kanë vdekur duke u ballafaquar me këtë virus.

Nga kjo Odë kanë thënë se përveç ballafaqimit me pandeminë, po përballen edhe me sfida tjera për të pasur kushte më të mira të punës e për të krijuar një siguri e mirëqenie për familjarët e tyre.

“Kjo, pasi çdo ditë pune e infermierëve, është një ecje nëpër “tehun e thikës” që metaforikisht nënkupton ekspozimin ndaj rrezikut jo vetëm në raport me virusin Covid 19, por edhe shumë rreziqe tjera që ndërlidhen me sigurinë në punë. Pashmangshëm, këtu nuk mund të anashkalohet edhe gjendja jo e mirë financiare e infermierëve në Kosovë dhe detyrimi i tyre për të punuar edhe punë tjera për mbijetesë”, është thënë nga kjo Odë.

Njoftimi i plotë:

Të dashur infermierë

Edhe këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Infermierisë, që shënon edhe ditën e lindjes së Florence Nightingale, themelueses së infermierisë moderne, na ka gjetur në luftë me njërën nga betejat më të vështira për komunitetin mjekësor, infermierinë por edhe botën në përgjithësi – pandeminë Covid 19.

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, duke iu falëmnderuar për përkushtimin e madh dhe profesionalizimin që keni treguar në betejën që deri më tani ka marrë jetën e 11 kolegëve tanë në Kosovë, iu siguron gatishmërinë e përhershme për të qenë në krah tuajin, jo vetëm simbolikisht në ditët si kjo që i dedikohet komunitetit tonë.

Infermierët, në Kosovë dhe jo vetëm, luajtën rolin kryesor në trajtimin e rasteve me Covid-19 dhe ky rol, siç e dini, u njoh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes një dokumenti që thekson sfidat dhe rëndësinë e infermierisë në të gjithë botën.

Jemi të vetëdijshëm se  Ju, përveç ballafaqimit me pandeminë, po përballeni edhe me sfidat serioze për të pasur kushte më të mira të punës dhe për të krijuar një siguri e mirëqenie për Ju dhe fëmijët Tuaj.

Kjo, pasi çdo ditë pune e infermierëve, është një ecje nëpër “tehun e thikës” që metaforikisht nënkupton ekspozimin ndaj rrezikut jo vetëm në raport me virusin Covid 19, por edhe shumë rreziqe tjera që ndërlidhen me sigurinë në punë.

Pashmangshëm, këtu nuk mund të anashkalohet edhe gjendja jo e mirë financiare e infermierëve në Kosovë dhe detyrimi i tyre për të punuar edhe punë tjera për mbijetesë.

Andaj, të dashur infermierë. Duke shpresuar fillimisht që bota do të dalë nga kjo betejë e vështirë që e ka kapluar dhe pas saj, të njihemi edhe më të fortë se ç’ishim. Ditët e vështira nxjerrin njerëz të kalitur mirë andaj, roli dhe forca Juaj e dëshmuar, do të njihet domosdo.

Urime Dita Ndërkombetare e Infermierisë!

Naser Rrustemaj

Kryetar i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë

(Kosova Sot Online)