Pacientit i amputohet këmba e gabuar

  • E.K /
  • 21 May 2021 - 11:16
Pacientit i amputohet këmba e gabuar

Mjekët në një spital të Austrisë kanë bërë një gabim të rëndë që do t’i kushtojë pacientit të tyre. Ata ia amputuan këmbën e gabuar një të moshuari.

Burri i moshës 82-vjeçare kishte probleme me shumë sëmundje, tha klinika Freistadt, e cila ndodhet afër kufirit me Republikën Çeke. Sëmundjet kishin ndikuar edhe në këmbë, duke e bërë të nevojshëm amputimin në këmbën e majtë, shkruan The Guardian.

“Ne jemi thellësisht të shokuar që të martën, më 18 maj, pavarësisht standardeve cilësore të sigurimit, këmba e gabuar e një 82-vjeçari u amputua”, thuhet në deklaratën e spitalit, ku shtohet se gabimi fillimisht u vërejt gjatë ndërrimit të fashës tek dy ditë pas operacionit, të enjten në mëngjes.

“Ne duhet të zbulojmë se si ky dështim, ky gabim ka mundur të ndodhë. Do të doja që për këtë rast të kërkoj falje publikisht”, tha drejtori i spitalit, Norbert Fritsch, gjatë një konference për gazetarë.

Faqja austriake e lajmeve, “Heute”, raportoi se pacienti nuk e vërejti gabimin e mjekëve për shkak të sëmundjeve që ka.

Spitali tha se gabimi duket se ka ndodhur pak minuta para operacionit, kur këmba që do të amputohej është bërë me shenjë.

Pacientit tani i është ofruar asistencë psikologjike dhe së shpejti duhet t’i nënshtrohet një operacioni tjetër për t’iu amputuar këmba e majtë – ajo që do të duhej të amputohej në operacionin e parë.

(Kosova Sot Online)