Iu ndaluan pyetjet për kryeministrin, deputetët ua zënë karriget ministrave

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 12:17
 Iu ndaluan pyetjet për kryeministrin, deputetët ua zënë karriget ministrave

Deputetët e opozitës në Kuvajt kanë gjetur një mënyrë kreative për ta kundërshtuar qeverinë në Kuvend – duke ua zënë karriget ministrave.

Anëtarët e kabinetit qeveritar refuzuan që të marrin pjesë në seancën e së martës, pasi deputetët e opozitës u ulën në karriget e caktuara për ministrat, tha kryetari i Kuvendit. Ky është incidenti i dytë radhazi që po e bllokon punën e institucionit të lartë.

Nga 50 deputetë të zgjedhur, 26 prej tyre të hënën përmes rrjeteve sociale thanë: “Do të jetë vetëm një seancë – nëse kryeministri del në foltore (për t’u marrë në pyetje)”.

Në mars të këtij viti, Kuvendi e miratoi legjislacionin që e pamundëson marrjen në pyetje të kryeministrit nga deputetët deri në fund të vitit 2022. Në seancën në të cilën u kalua ky vendim nuk ishin të pranishëm disa deputetë të opozitës.

Gjashtë deputetë duan që t’i shtrojnë pyetje kryeministrit për këtë vendim, për menaxhimin e situatës me pandeminë dhe rreth korrupsionit, përpos çështjeve tjera, shkruan Reuters.

Emiri Sheikh Nawaf al-Ahmad al-Sabah, i ardhur në pushtet vitin e kaluar, në shkurt i pezulloi seancat e kuvendit për shkak të mosmarrëveshjes me opozitën, e cila po zgjat që disa muaj.

Përplasjet e shpeshta mes Qeverisë dhe Kuvendit kanë bërë që Kuvajti disa herë të përballet me riformatime të qeverisë dhe rrëzim të saj gjatë dekadave të kaluara, duke ndikuar negativisht në investime dhe reforma në shtetin e pasur me naftë.

Ndonëse emiri e ka fjalën e fundit rreth çështjeve shtetërore, Kuvajti është monarkia e vetme e Gjirit Persik ku Kuvendi ka pushtet thelbësor, përfshirë bllokimin e ligjeve dhe marrjen në pyetje të ministrave.

(Kosova Sot Online)