Pushteti i papërgjegjshëm dështoi PTK-në dhe TC-në“ Kosova e Re”

  • 30 November 2015 - 17:57
Pushteti i papërgjegjshëm dështoi PTK-në dhe TC-në“ Kosova e Re”

Pasojat e vonesës së privatizimeve po i bartin qytetarët

“Pa investime të huaja në ndërmarrje publike dhe pa privatizimin e tyre nuk ka përparim, sepse ka kaluar koha e tregut të ekonomisë së mbyllur. Kosova është vend shumë i vogël. Duhet të hapet tregu dhe të futen investimet e huaja dhe vetëm atëherë nga NP-të tona mund të presim rezultate të mjaftueshme”, shprehet ish- deputetja Selmani

Të gjitha qeverive dhe pushtetarëve që nga paslufta në Kosovë, përfshirë edhe Qeverinë aktuale “Mustafa” u ka munguar institucioni i përgjegjësisë dhe llogaridhënies ndaj punës së bërë si udhëheqës ekonomie, por edhe si pushtetarë. Për pasojë, vendi është sjellë buzë greminës ekonomike, me qindra e mijëra të papunë, me afro 100 mijë veta që e morën eksodin e migrimin në Perëndim dhe me një situatë ku jemi bërë vend pa perspektivë  e shtegdalje. Ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe analistë ekonomie janë të mendimit se po të kishte një përgjegjësi dhe një llogaridhënie nga pushtetarët tanë nuk do të dështonte privatizimi i PTK-së si edhe ndërtimi i TC-së, “Kosova e Re” që janë projekte madhore për vendin.

Selmani: Çdo vonesë e mosprivatizimit të ndërmarrjeve ka kosto të lartë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovë, Myzejene  Selmani, thotë se nuk ka asnjë fije dyshimi se të gjitha garniturave të deritashme të pushtetarëve u kanë munguar përgjegjësia dhe llogaridhënia për punën apo mospunën e bërë dhe për fat të keq kësisoj po vazhdon edhe me Qeverinë e Isa Mustafës. Sipas Selmanit, kështu ka ndodhur edhe me mosprivatizimin e PTK-së. “Për dy herë rresht është tentuar që të privatizohet PTK-ja,  një herë në kohën e shpalljes së pavarësisë e herën tjetër edhe në Qeverinë, PDK-AKR, dhe për mungesë  të disa deputetëve të pozitës ka rënë poshtë vendimi për privatizimin e PTK-së“, u shpreh ajo. Selmani thotë se dështimi i privatizimit të PTK-së dhe çdo vonesë e mosprivatizimit të ndërmarrjeve publike e ka koston e saj shumë të madhe, sepse i devalvon dhe i zhvlerëson ato tej mase. “ Pa investime të huaja në ndërmarrje publike dhe pa privatizimin e tyre nuk ka përparim, sepse ka kaluar koha e tregut të ekonomisë së mbyllur. Kosova është vend shumë i vogël. Duhet të hapet tregu dhe të futen investimet e huaja dhe vetëm atëherë nga NP-të tona mund të presim rezultate të mjaftueshme. Por, me këtë mundësi çfarë është tash, ndonëse me menaxhmentin aktual po mundohet që ta rrisë vlerën e sajë, është e kotë, sepse PTK-ja ka mbetur mbrapa”, është shprehur Selmani. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)