“Nuk ke për ta njohur kurrë vajzën”, historia prekëse e të riut nga Shëngjini, gruaja e la me një SMS nga Austria

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 14:38
 “Nuk ke për ta njohur kurrë vajzën”, historia prekëse e të riut nga Shëngjini, gruaja e la me një SMS nga Austria

Një e qeshur fëmije, një kala në rërë dhe balonat që fluturojnë në ajër buzë detit për shumëkënd është një panoramë relaksuese, por për Armandin jo. Prej gushtit të 2018, kur e prezantoi të bijën me vendlindjen e tij Shëngjinin, ai nuk e pa më.

Fëmija po përdoret si mjet shantazhi nga ish-bashkëshortja e tij kosovare me banim në Austri, që ai të paraqitet në gjyq për të përfunduar procedurat e divorcit dhe ajo të vijojë jetën me partnerin e ri të saj, me të cilin ka edhe një fëmijë.

Historia e tij me vajzën nga Kosova me banim në Austri nisi pikërisht në bregdet, aty ku ajo vetëm 17 vjeçe u dashurua me Armandin. Ata do të mbanin një lidhje në distancë për shumë muaj e më pas do ta kurorëzonin në Austri dashurinë e tyre. Por pas 5 vitesh njohje dhe 1 vit e gjysmë martese çifti u nda.

Sot 28-vjeçari ndihet i pashpresë dhe kërkon një orientim ligjor dhe juridik për të përfituar të drejtat e tij si baba mbi vajzën e tij.

Rrëfimi i Armandit:
E kam njohur në plazh. Ajo kishte ardhur me pushime në Shëngjin, aty ku unë banoj. Pasi u njohëm, folëm në rrjetet sociale dhe më pasi u fejuam. Familja e saj me priti shumë mirë. Jetoja 3 muaj atje, 3 muaj në Shqipëri. Mosmarrëveshjet nisën, pasi lindi vajza. Shtatzëninë e saj mezi e kam pritur. Doja të bëhesha baba megjithëse isha 22 vjeç. Tani vajza është 5 vjeç. Kam që në 26 gusht të 2018 që nuk e shikoj.

Konfliktet ishin të vogla. Mosmarrëveshje si çdo çift. Jemi celebruar në Austri. Nuk kam bere njohje martese këtu në Shqipëri. Unë rrija 3 muaj në Shqipëri, 3 maj në Austri. S’e bëmë dot bashkimin familjar, sepse ligji thoshte se partnerja duhej te ishte mbi 21 vjeç. Kur mbushi ajo moshën, ne u ndamë.

Ajo erdhi në Shqipëri për pushime. Qëndroi me mua. Shkuam dhe në Theth. Pasi iku në Austri më çoi një mesazh, më tha s’kemi më punë bashkë. E mora ta sqaroja. Nuk ma hapte telefonin. Mora vesh që ajo kishte nisur një njohje tjetër. Më tha vajzën s’ke për ta njohur më. Familjarët e saj më thanë që ajo ka nisur një marrëdhënie tjetër. Ai djali kishte tentuar ta marrë nuse më parë, por familja nuk e dha. Procesi i divorcit ka nisur në Austri. Unë nuk jam paraqitur asnjëherë. Më thanë se kam të drejtë ta takoj vajzën në fundjavë. Më kanë vendosur një tarifë 50 ose 70 euro.

(Kosova Sot Online)