Deputeti mbron abortin me qëllim të lindjes së djemve, nxit reagime

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 10:27
 Deputeti mbron abortin me qëllim të lindjes së djemve, nxit reagime

Deputeti i pozitës në Malin e Zi, Dragan Ivanoviq, para disa ditësh bëri një deklaratë që është dënuar nga opozita dhe organizatat për të drejtat e grave. Sipas tij, familjet kanë të drejtë të ndikojnë në lindjen e fëmijëve. Konteksti i kësaj deklarate është më i thellë, prandaj nxiti debat.

Gjatë një debati parlamentar rreth rënies së numrit të vajzave të porsalindura në Mal të Zi, deputeti tha se e dënon këtë trend, por shtoi se një gjë e tillë është rezultat i pashmangshëm i teknikave mjekësore, shkruan Free Europe.

“Secili qytetar e ka të drejtën të ndikojë në riprodhimin e fëmijëve të vet”, deklaroi deputeti malazez para kolegëve të tij më 24 maj.

Përdorimi i abortit për të zgjedhur djem e jo vajza është veprim ilegal në shtetin fqinj të Kosovës që nga viti 2009. Megjithatë, komentet e Ivanoviqit nuk shkaktuar zemërim në mesin e aleatëve të koalicionit, shumë prej të cilëve janë zgjedhur me një platformë me përkrahje të fuqishme nga Kisha Ortodokse Serbe, që e kundërshton ashpër abortin.

Megjithatë, reagime kundër këtyre komenteve pati nga gratë dhe nga opozita malazeze. Drejtoresha ekzekutive e Lobit të Grave Malazeze, Aida Petroviq, tha se fjalët e deputetit janë të turpshme dhe janë njësoj si përkrahje publike për abortet selektive.

Partia Demokratike e Socialistëve, e cila ndodhet në opozitë, tha se komentet e deputetit të pozitës janë shenjtë e një qeverie prapavajtëse që i trajton gratë sikur të ishin të padëshiruara.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, i kërkoi falje publikut për fjalët e deputetit dhe bëri thirrje për respektim të të drejtës së të gjithëve për t’u lindur, pavarësisht gjinisë.

Një ditë pas komenteve, falje kërkoi edhe vetë deputeti Ivanoviq, duke thënë se fjalët e tij ishin të pamatura. “U kërkoj falje të gjitha nënave dhe të gjithë atyre që janë prekur”, tha ai.

(Kosova Sot Online)