Liturgjia dhe fotografia e flamurit serb në Koshare – A ishin këto provokime të Serbisë para dialogut!

  • A.P /
  • 14 June 2021 - 19:44
Liturgjia dhe fotografia e flamurit serb në Koshare – A ishin këto provokime të Serbisë para dialogut!

Javën e kaluar, për herë të parë që prej pasluftës, kisha Ortodokse Serbe ka mbajtur liturgji fetare në kishën që gjendet në Kampusin Universitar të Prishtinës. Një ditë pas përvjetorit të çlirimit të Kosovës, më 13 qershor, në mediat serbe u shpërnda një fotografi, ku pretendohej se në Koshare është vendosur flamuri i Serbisë, gjë të cilën e përgënjeshtroi Policia e Kosovës. Këto veprime ngjallën reagimin e qytetarëve, por jo edhe të institucioneve. E ky, sipas analistëve të çështjeve politike, është veprim i duhur, pasi ngjarjet e ditëve të fundit, po shihen si provokim nga Serbia në prag të vazhdimit të dialogut të Kosovës me Serbinë, që do të mbahet të martën në Bruksel.

Liturgjia fetare e kishës Ortodokse Serbe në kishën që gjendet në oborrin e Kampusit Univbersitar në Prishtinë dhe lajmi se në Koshare është vendosur flamuri i Serbisë, po shihen si provokime nga ana e Serbisë, për ta destabilizuar Kosovën dhe procesin e negociatave me Serbinë.

Drejtori i Insitutitit Musine Kokalari, Visar Ymeri, ka deklaruar  se liturgjia e mbajtur në Prishtinë, ka për qëllim ta shtrojë rrugën, sipas tij, për një prej temave më të rëndësishme në dialog, për statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe pronës që ajo pretendon, si një

Ymeri thotë se përmes kësaj liturgjie, është tentuar të nxitet reagimi institucional dhe qytetar, për ta dëshmuar pqaëndrueshmërinë e statusit aktual dhe për të kërkuar më shumë në negociata.  

“Provokime edhe mund të jenë. Nuk e di nëse ka korrelacion mes liturgjisë dhe raportimit për vendosjen e flamurit të Serbisë në Koshare. Megjithatë e rëndësishme është të kuptohet se, pavarësisht ndërlidhjes ose jo, këto janë veprime të natyrave të ndryshme. Mendoj që liturgjia e mbajtur në Prishtinë, pronësia e të cilit është në kontest gjyqësor, ka për qëllim ta përgatisë terrenin dhe ta shtrojë rrugën për njërën prej temave të rëndësishme në procesin të dialogut – Statusi i Kishës Ortodokse Serbe dhe pronës që ajo pretendon. Në këtë drejtim mendoj se duhet kuptuar kjo liturgji. Në njërën anë KOS po do ta vë në spikamë se ky është objekt i tyre kishtar. Në anën tjetër ta nxisë reagimin institucional dhe qytetar për ta dëshmuar paqëndrueshmërinë e statusit aktual të tyre dhe kështu për të kërkuar më shumë në negociata”, ka deklaruar Ymeri.

Ai thotë se kjo vërtetohet nga reagimet politike dhe mediatike në Serbie, të cilat propagandojnë se kishtat dhe praktika e riteve fetare ortodokse në Kosovë janë të rrezikuara.

Ymeri ka deklaruar se pengimi i mbajtjes së liturgjisë mund të kenë qenë politikë shoviniste e Serbisë, që serbët të paraqiten si viktima, në prag të dialogut të Kosovës me Serbinë.

“Kjo vërtetohet edhe nga reagimet e elitave dominuese politike dhe mediatike në Serbi, të cilat e instrumentalizojnë politikisht këtë çështje duke u viktimizuar dhe duke propaganduar se kishat dhe praktika e riteve ortodokose në Kosovë janë të rrezikuara, e rrjedhimisht ju takon një status edhe më i avancuar se i tanishmi. Reagimi i Ministrit Çeku ka qenë me vend. Faktet që ai i ka ngritur në postimet e tij janë relevante dhe të dobishme si qasje. Nuk e di se çka më shumë kanë mundur të bëjnë institucionet në këtë situatë. Ta pengojnë mbajtjen e liturgjisë me polici? Mbase pamjet e ndërhyrjes së policisë së Kosovës në liturgji ka qenë edhe qëllimi i politikës shoveniste në Serbi, që serbët të paraqiten si viktima, në prag të dinamizimit të dialogut Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Ymeri.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka deklaruar se të dyja rastet janë provokime nga Serbia.

Mushkolaj thotë se nëse institucionet e Kosovës do të reagonin kundër mbajtjes së liturgjisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do ta përdorte këtë në takimin me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në takimin e së martës në Bruksel.

“Unë i shoh si provokime të qëllimta të dyja, në prag të vazhdimit të dialogut. Njëfarë testi për institucionet dhe shoqërinë kosovare karshi kësaj situate. Jo rastësisht, janë dy veprime shumë të ndjeshme, për shkak se bëhet fjalë e para për një objekt që është në qendër të qytetit dhe vazhdimisht ngjall ato kujtimet e viteve të ’90-ta dhe të luftës, e në anën tjetër për Kosharen, si një prej betejave më të lavdishme të UÇK’së. Por besoj se pavarësisht se ka pasur reagime të mëdha pse është lejuar dhe nuk është reaguar ndaj veprimit te kisha, unë mendoj se do të ishte përdorur pastaj nga Vuçiqi në Bruksel nesër menjëherë në takim me Kryeministrin, sikurse do të ishte përdorur po të kishte ndërmarrë dikush diçka lidhur me atë fotografinë që u shfaqë në Koshare”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se mund të ketë edhe provokime tjera nga Beogradi, për të nxitur reagimin e insitutcioneve dhe shoqërisë kosovare.

Por, ai thotë se organet e sigurisë në Kosovë duhet të jenë më vigjilente, për të parë nga mund të vinë këto provokime.

“Këto veprime, ashtu siç e shoh unë, janë në kuadër të luftës speciale të Beogradit, unë pres edhe veprime tjera të kësaj natyre, që janë shumë provokuese, por që varet shumë prej shoqërisë dhe institucioneve se qysh do të iu qasen. Besoj se organet e sigurisë duhet të jenë shumë më vigjilente, për të parë se nga mund të vinë këto provokime. Për shembull siç kemi pasur raste të ndalimit të autobusëve me pelegrinë që po quhen, për të hyrë në Kosovë, e të tjera, ndoshta t’i shtojnë aktivitetet parandaluese. Në mënyrë që thjesht njerëzit të cilët janë sidomos në këtë përvjetorin e çlirimit iu vijnë kujtime të trishta për shkak të luftës dhe krimeve që ka ndodhur, mos të vije te ndonjë  situatë me reagu në afekt dhe pastaj me shkaktu ndonjë problem në proces”, ka deklaruar Mushkolaj.

Se liturgjia e mbajtur në Prishtinë nga serbët është një test ndaj Kosovës para vazhdimit të dialogut me Serbinë, thotë edhe analisti Astrit Gashi.

Gashi ka deklaruar se tema e ekstraterritorialitetit të kishës Ortodokse është problematike për Kosovën.  

“Kisha Ortodokse dhe statusi i saj, pra ekstraterritorialiteti, është një kërkesë e Serbisë e cila me gjasë do të hyje si pjesë e pikave të diskutimit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo temë është problematike për Kosovën sepse tejkalon Pakon e Ahtisarit- dhe nënkupton hapjen e asaj pakoje. Prandaj edhe liturgjinë e mbajtur para do ditësh e shoh si një test ndaj Kosovës në këtë drejtim- pra nëse Kosova do të tolerojë hapjen e kësaj teme apo jo”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Gashit, Kosova mund të ketë rënë në këtë test, pasi institucionet kosovare nuk kanë pasur reagimin e duhur ndaj kësaj ngjarjeje.  

“Fatkeqësisht reagimet e buta nga Institucionet pas kësaj ngjarjeje, më bëjnë të dyshoj se kemi rënë në këtë test”, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen për herë të parë nesër paradite në Bruksel.

Pasdite, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell – i cili do ta ndërmjetësojë takimin Kurti-Vuçiq në mëngjes – do të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një samit BE-SHBA.

(Kosova Sot Online)