Valdete Daka: Presidentja më kërkoi të dorëhiqem, do të më falënderonte

  • E.K /
  • 15 June 2021 - 11:22
 Valdete Daka: Presidentja më kërkoi të dorëhiqem, do të më falënderonte

Kryetarja e shkarkuar e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se vendimi për shkarkimin e saj nga kjo pozitë ishte i porositur.

Ajo tha se presidentja Vjosa Osmani dje e ka përmbushur kërcënimin e saj për shkarkim të saj nga pozita e kryetares së KQZ-së.

“Tashmë të gjithë e dini se dje me vendimin e saj, Presidentja e Kosovës, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim.  Dua t’iu bëj të ditur qysh në fillim se ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj.  Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetëveten, por edhe qesharak.  Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur”, ka thënë Daka.

Daka deklaroi se emërimi i menjëhershëm i kryetarit të ri, ka dëshmuar se vendimi për shkatërrimin e saj ishte i përgatitur më herët.

“Ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen. Natyrisht se kjo ishte një gjuhë dhe sjellje e papranueshme për mua nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës. Asaj i kam thënë se kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, deklaroi më tutje ajo.

Ish-kryetarja e KQZ-së foli edhe për përplasjet e saj dhe presidentes Osmani. Sipas saj çdo gjë filloi kur ajo dhe disa anëtarë të KQZ-së e kanë kundërshtuar certifikimin e kandidatëve që janë të dënuar në tri ditët e fundit.

“Kërcënimet publike të presidentes Osmani kanë nisur qysh nga janari I vitit 2021, kur unë dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe pse në presion në madh ishim në mbrojte të aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese për moslejimin e kandidimit të personave që janë të dënuar në tri vitet e fundit. Presidentja Osmani një ditë pas këtij vendimi përmes një video-mesazhi kërcënoi me shkarkim”, deklaroi më tutrje ajo.

Ndër të tjera, Daka tha se Osmani në arsyetimin për shkarkim ka përfshirë edhe akuzat e pabaza të disa anëtarëve të KQZ-së, duke aluduar kështu në përfaqësuesit e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

“Ky presion I porositur ka vazhduar edhe më vonë nga përfaqësuesit e një subjekti politik. Ata ndaluan mbledhjet, thoni akuza të pabaza dhe presidentja nuk reagoi për to. Akuzat e tyre I gjeni sot edhe në arsyetimin e presidentes për shkarkimin tim. Argumentet e presidentet janë lehtësisht të rrëzueshme dhe nuk duhet shumë mund për to”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)