Komisioni për Buxhet rekomandon shkarkimin e bordit të RTK-së

  • G.G /
  • 16 qershor 2021 - 13:22
Komisioni për Buxhet rekomandon shkarkimin e bordit të RTK-së

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka rekomanduar inicimin e procedurave për shkarkimin e bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Bordi i RTK-së është i përbërë nga Sali Bashota si kryetar,  Agron Gashi anëtar, Lirim Geci, anëtar, Fadil Miftari, anëtar, Ilir Bytyçi, anëtar, Bajram Mjeku, anëtar, Petrit Musolli, anëtar dhe Albinot Maloku, anëtar.

Kryesuesi i komisionit, Armend Muja tha se me shumicë votash i rekomandohet Komisionit për Media inicimin e procedurave për shkarkimin e bordit të RTK-së.

Pas këtij rekomandimi ka reaguar drejtori i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati.

Kastrati ka munguar sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, e ku në rend dite ishte raportimi për raportin financiar të RTK-së. Për mungesën e tij në këtë mbledhje, Kastrati e akuzoi drejtpërdrejtë kryetarin e Komisionit që vie nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja.

Kastrati përmes një postimi në “Facebook”, tha se Muja me qëllim ia ka pamundësuar raportimin e sotshëm në Kuvend.

“Armend Muja personalisht dhe me qellim ma pamundesoi te raportoj sot para Komisionit te Kuvendit!”, ka shkruar ai.

Më tutje, drejtori i RTK-së tha se edhe Armend Muja është në listën e borxhlinjve të RTK-së, teksa shtoi se deputeti i VV-së e dinë mirë se si janë krijuar borxhet e RTK-së.

“Une per komisonin dhe qytetaret kesaj here I kam dy pergjigje: 1.Armend Muja eshte ne mesin e atyre qe ka pase kontrate me sherbime ne RTK, dhe e din shume mire se si angazhohet nje person me kontrate te tille! 2. Armend Muja e din si jane krijuar borxhet e RTK-se nder vite, po ashtu e din se kush I ka borxh RTK-se, sepse Armendi eshte nje borxhlinjet e RTK-se! Per pyetjet e tjera te deputeteve do te pergjigjem ne ditet ne vazhdim!”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Avdullah Hoti, ka folur rreth mungesës së drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhënjim Kastrati, në mbledhjen e këtij Komisioni.

Ai tha se është hera e parë që pas 20 vitesh në raportimin për raportin vjetor financiar të RTK-së, mungon drejtori.

 “Është hera e parë që 20 vjet që në raportimin e raportit vjetor financiar të RTK-së nuk është drejtori ekzekutiv, pse kjo, a ka pas ftesë ai apo jo ? Drejtori duhet të ishte për shkak të specifikave të raportimit”, tha Hoti.

Një kundërpërgjigje për Hotin, e pati kryesuesi i mbledhjes nga VV-ja, Armend Muja. Ai tha se Kastrati mungon për shkak se ka qenë propozim i organizatave ndërkombëtare që ai të mos raportojë në Komision.

 “Organizatat ndërkombëtare e kanë paraqitur një listë të parimeve një ndër to është që Bordi të raportoj para Komisionit dhe jo drejtori pasi jepet perceptimi që komisioni po ndërhynë në RTK. Kjo ka ndodh edhe si shkak i situatës dhe mënyrës së raportimit herën e kaluar”, tha Muja

Të pranishëm në këtë komision ku po diskutohet për raportin vjetor financiar të RTK-së janë kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota dhe dy anëtarë të tjerë të bordit. 

(Kosova Sot Online)