Ushtria izraelite vret një grua palestineze, thotë se deshi t’i godiste me veturë ushtarët

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 15:25
 Ushtria izraelite vret një grua palestineze, thotë se deshi t’i godiste me veturë ushtarët

Trupat izraelite qëlluan me armë zjarri një grua palestineze, e cila u përpoq që t’i godiste ushtarët me veturë në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha ushtria izraelite.

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se gruaja e qëlluar me armë ka vdekur nga plagët. Nuk pati raportime rreth pasojave në njerëz në anën izraelite, shkruan Reuters.

Incidenti erdhi pas rritjes së tensioneve pasi një marsh i hebrenjve nacionalistë të martën i nxiti militantët palestinezë që të lëshonin balona zjarrvënës në drejtim të Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore.

Ushtria izraelite tha se gruaja palestineze u përpoq që t’i godiste disa ushtarë afër fshatit palestinez, Hizma, në verilindje të Jerusalemit.

“Pas përpjekjes për goditje me veturë, sulmuesja doli nga vetura me një thikë. Ushtarët u përgjigjën me zjarr drejt sulmueses dhe e neutralizuan atë”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

Në javët e fundit është shënuar rritje e numrit të incidenteve të dhunshme në Bregun Perëndimor. Të enjten e kaluar, forcat speciale izraelite vranë një militant të grupit Xhihadi Islamik dhe dy pjesëtarë të forcave palestineze të sigurisë.

Dy palestinezë të tjerë u vranë në incidente të ndara të premten dhe të shtunën. I pari u vra gjatë një përleshjeje me trupat izraelite në Bregun Perëndimor, ndërsa i dyti përderisa po tundte një thikë në një pikë ushtarake të kontrollit afër Jerusalemit.

(Kosova Sot Online)