Kryeministri i Pakistanit përsëri fajëson gratë për dhunimet sek*uale: Po veshin pak rroba, burrat s’janë robotë

  • E.K /
  • 25 June 2021 - 09:32
 Kryeministri i Pakistanit përsëri fajëson gratë për dhunimet sek*uale: Po veshin pak rroba, burrat s’janë robotë

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, po përballet me kritike të shumta, pasi i fajësoi viktimat e dhunës seksuale se po veshin shumë pak rroba.

I pyetur nga gazetari i faqes amerikane, Axios, Jonathan Swan, rreth “epidemisë së dhunimeve seksuale” në Pakistan, shefi i qeverisë pakistaneze tha: “Nëse një grua vesh shumë pak rroba, kjo do të ketë ndikim te burri, përpos nëse ai është robot. Është logjike.”

Ai nuk saktësoi se çfarë deshi të thoshte me “pak rroba”, në shtetin ku shumica e grave vishen me rroba tradicionale të stilit konservator.

Mbi dhjetë grupe për të drejtat e grave, përfshirë Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Pakistan, lëshuan një deklaratë duke kërkuar që kryeministri të kërkojë falje, shkruan The Guardian.

Më herët këtë vit, kryeministri pakistanez u akuzua për injorancë nga një ndër grupet më të njohura për të drejtat e njeriut në Pakistan, pasi ai i këshilloi gratë që të mbulohen për ta shmangur dhunimin.

Viktimat e abuzimit seksual shpesh shihen me dyshim dhe ankesat e tyre rrall hetohen seriozisht nga autoritetet pakistaneze. Një pjesë e madhe e popullsisë jeton sipas “kodit të nderit”, me ç’rast gratë që sjellin “turp” në familje mund të jenë subjekt i dhunës apo vrasjes.

Pakistani vazhdimisht del poshtë në listën botërore sa i përket barazisë gjinore.

(Kosova Sot Online)