Ambasada britanike zemëron arabët, ngriti flamurin e LGBT-së

  • A.P /
  • 29 June 2021 - 16:00
Ambasada britanike zemëron arabët, ngriti flamurin e LGBT-së

Ambasada e Britanisë së Madhe në Emiratet e Bashkuara Arabe po përballet me shumë reagime në internet, pasi e ngriti flamurin e komunitetit LGBT në ndërtesën që ndodhet në Abu Dabi dhe foli në përkrahje të këtij komuniteti.

Kur ambasada britanike të hënën në rrjete sociale ofroi përkrahje për të drejtat e komunitetit LGBT si dhe publikoi fotografi të flamurit me shumë ngjyra, në Emirate filluan shpejt kritikat, shkruan Independent,.

Qindra komentues thanë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe fyese, ndërsa disa pretenduan se postimi është racist dhe bënë thirrje që ambasada ta largojë menjëherë flamurin e komunitetit LGBT.

Shumë të tjerë thanë se ky flamur është kundër Islamit si si shembull i përpjekjeve të Britanisë së Madhe për t’ia imponuar një shteti tjetër qëndrimet e veta. Ata pak komentues që e përkrahën ambasadën ishin kryesisht perëndimorë që jetojnë e punojnë në Emiratet e Bashkuara.

Pavarësisht kundërshtimeve të shumta ndaj shfaqjes së përkrahjes për LGBT-në, disa analistë në Emiratet e Bashkuara besojnë se ky veprim vjen në kohën kur shteti i Gadishullit Arabit po përgatitet për ta dekriminalizuar homoseksualizmin.

Sipas një burimi qeveritar, që kërkoi të mbetet anonim, homoseksualizmi pritet të dekriminalizohet në Emiratet e Bashkuara para fundit të këtij viti, me mundësi që kjo të ndodhë para panairit Expo2020 Dubai, që fillon në tetor.

(Kosova Sot Online)