Rreziku nga gripi i shpezëve, Komuna e Pejës s’e përfill vendimin e AUV-it, shpërndan pula në 51 familje

  • A.P /
  • 29 June 2021 - 20:53
Rreziku nga gripi i shpezëve, Komuna e Pejës s’e përfill vendimin e AUV-it, shpërndan pula në 51 familje

Komuna e Pejës ka njoftuar sot se është duke vazhduar përkrahja përmes granteve të vogla, për ekonomitë familjare të zonave rurale. Nga ky projekt, qytetarët përfitojnë pula, ushqim për pula, sera e dele. Por, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nga data 26 maj e ka ndaluar lëvizjen e shpezëve, për shkak të virusit “Avian Influenza”. Nga Komuna e Pejës kanë deklaruar se pulat janë shpërndarë para një muaji, por nga organizata Islamic Relief Kosova kanë deklaruar se të njëjtat janë shpërndarë më 10 qershor.

Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Hidroekonomisë në Komunën e Pejës, ka shpërndarë pula në fshatrat e Pejës, përmes granteve të vogla me të cilat synohet të ndihmohen ekonomitë familjare në zonat rurale.

“…Nga projekti në fjalë, po përfitojnë pula, koteca dhe ushqim për pula 51 familje, 66 familje po përfitojnë nga 100 m2 sera, si dhe 76 familje po përfitojnë nga 10 dele”, thuhet në njoftimin e Komunës së Pejës, të publikuar mëngjesin e së martës.

Por, shpërndarja e pulave është bërë në kundërshtim me një vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Më 26 maj, në njoftimin për dyshimet e paraqitjes së Gripit të Shpezëve “Avian Influenza”,  AUV-i ka deklaruar se në mesin e masave për përandalimin e përhapjes së gripit, është edhe ndalimi i lëvizjes së shpezëve nga fermat.  

“Masat fillestare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes  ‘’Gripi i Shpezëve’’ janë: Ndalohet lëvizja e shpezëve nga fermat, mbajtja  e panaireve, tregjeve, ekspozitave dhe grumbullimeve të tjera të shpezëve dhe zogjve të tjerë”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

Se ky vendim që ndalon lëvizjen e shpezëve është ende në fuqi, e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

“Lëvizja e shpezëve është e ndaluar në gjithë territorin e Kosovës, për shkak të sëmundjes së shpezëve Avian Influenza, F5N8. Për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes, të gjitha shpezët duhet të mbahen në fermë”, ka deklaruar Thaçi.

Por, pavarësisht kësaj, Komuna e Pejës i ka shpërndarë pulat.

 

“Ne i kemi shpërnda para një muaji pulat, para atij vendimi i kemi shpërndarë. Tash do gjedhe kanë qenë, por edhe këto kanë qenë në karantinë në Fushë-Kosovë, më herët, para atij vendimi. Do të thotë janë karantinu gjedhet që janë shpërndarë tash, pulat janë shpërndarë para një muaji, më shumë ndoshta”, ka deklaruar Asllani.

Por, pulat të cilat nënkryetari i Pejës thotë se janë shpërndarë para një muaji, janë shpërndarë më 10 qershor, në kohën kur ka qenë në fuqi vendimi i AUV-it për ndalimin e lëvizjes së shpezëve.

Nga organizata “Islamic Relief Kosova”, kanë deklaruar  se pulat janë shpërndarë me datë 10 qershor.

“Sa i përket shpërndarjes, në Komunën e Pejës kemi shpërndarë pula me datën 10 qershor, ku janë ndihmuar 51 familje, duke iu shpërndarë atyre nga 40 pula (37 pula e 3 gjela), 1 kotec dhe 340 kg ushqim për pula”, kanë deklaruar nga IRK.

Nga organizata thanë se kanë mbetur edhe 14 familje, të cilat do të ndihmohen gjatë kësaj jave.

“Ndërsa shpërndarja e fundit në Pejë ka qenë të premten e kaluar me datën 25 qershor, ku janë ndihmuar 62 familje, duke iu shpërndarë atyre nga 10 dele dhe një dash, dhe ka mbetur të ndihmohen edhe 14 familje gjatë kësaj jave, për ta kompletuar numrin prej 76 familjeve në këtë shpërndarje”, kanë deklaruar nga IRK.

Nga kjo organizatë kanë deklaruar se kafshët janë të vaksinuara.

“Jo, ne jemi në dijeni se janë ndaluar vetëm tregjet, ndërsa ne i kemi shpërndarë sepse kafshët janë të vaksinuara, të kontrolluara nga veterinari dhe nuk janë nxjerre në tregje, por vetëm u janë dorëzuar drejtpërdrejt fermerëve”, thuhet në përgjigjen e IRK-së për Express.

Ndryshe, AUV-i pati njoftuar se gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndoshë. Gjithashtu mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale (përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë) që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar.

Njerëzit gjithashtu mund ta përhapin sëmundjen indirekt nga ferma në fermë duke mbajtur virusin në veshjet e tyre, çizmet ose përmes rrotave të automjeteve.

(Kosova Sot Online)