Pas furnizimit me vaksina, më shumë qytetarë po vaksinohen sot në Kosovë

  • G.G /
  • 30 June 2021 - 13:10
Pas furnizimit me vaksina, më shumë qytetarë po vaksinohen sot në Kosovë

Numër më i madh i qytetarëve i janë drejtuar sot sallës “1 Tetori” në Prishtinë për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Kjo pasi Ministria e Shëndetësisë ka mundësuar aplikimin e qytetarëve për vaksinim nga dita e djeshme, për shkak se deri më 29 qershor, të gjitha terminët ishin të zëna.

Ndërsa, me furnizimin me vaksina shtesë, tashmë do të mund të vaksinohen të gjithë ata persona që janë kthyer prapa nga disa qendra të vaksinimit.

Nga qendrat e vaksinimit kanë thënë se sot do të mund të vaksinojnë një numër më të madh të personave.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur dje se terminët për vaksinim tashmë mund t’i bëjnë edhe qytetarët mbi 55 vjeç.

Sipas MSH’së, aplikimin mund ta bëjnë edhe personat me sëmundje kronike, punëtorët shëndetësorë, mësimdhënësit, Forcat e Sigurisë (Policia dhe FSK), pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës e zjarrfikësit.

Ndërsa, mundësinë për ta marrë vaksinën do ta kenë edhe ata që për të udhëtuar jashtë vendit kanë kusht vaksinimin

(Kosova Sot Online)