Dheu zhduk shtëpitë, 19 të zhdukur

  • E.K /
  • 03 July 2021 - 10:10
Dheu zhduk shtëpitë, 19 të zhdukur

Një rrëshqitje e madhe e dheut ka shkaktuar shembje të shtëpive dhe 19 të zhdukur në një qendër të popullarizuar turistike në pjesën qendrore të Japonisë pas reshjeve të mëdha të shiut, thanë zyrtarët lokalë.

Pamjet televizive të shtunën shfaqën një grumbull dheu duke zhdukur disa ndërtesa në Atami, në jugperëndim të Tokios, ndërsa njerëzit u panë duke ikur, shkruan The Guardian.

“Dëgjova një zë të tmerrshëm dhe e pash baltën duke rrjedhur poshtë përderisa ekipet e shpëtimit u bënin thirrje njerëzve të largohen. Prandaj, shkova në një pjesë më të lartë”, tha udhëheqësi i një tempulli afër vendit ku ndodhi fatkeqësia.

“Kur u ktheva, shtëpitë dhe veturat që ishin përballë tempullit ishin zhdukur”, shtoi ai.

Një zyrtar për menaxhimin e fatkeqësive në distriktin Shizouka tha se siguria e 19 personave nuk dihet pas kësaj rrëshqitjeje. Ai shtoi se qeveria lokale ka kërkuar ndihmë nga ushtria për misionin e kërkim-shpëtimit.

Mbi 2.800 shtëpi në rajon mbetën pa energji elektrike. Kryeministri Yoshihide Suga do të takohet me ministrat e vet të shtunën për të diskutuar rreth këtij rasti dhe për dëmet tjera që lidhen me reshjet e shiut, raportuan mediet japoneze.

(Kosova Sot Online)