Detaje nga helmimi i mbi 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë

  • A.P /
  • 13 July 2021 - 16:52
Detaje nga helmimi i mbi 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë

Mbi 1 mijë e 500 persona, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë janë helmuar në Deçan. Dyshimet e para janë se banorët e kësaj komune janë helmuar nga uji i pijshëm. Ndërsa, komuna e Deçanit sot ka shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve, derisa prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën se si ka ardhur helmimi i mbi 1 mijë e 500 personave.               

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga e shtuna deri sot për shkak të helmimit.

Dyshimet janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes.

Ndërsa, në mesin e të helmuarve janë edhe 51 fëmijë, të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës.

“Që nga dita e shtunë e deri më tani kanë kërkuar ndihmë shëndetësore 77 qytetarë nga Deçani dhe atë 51 në repartin e pediatrisë dhe 26 në emergjencë“, kanë thënë zyrtarë për informim të Spitalit të Pejës.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka thënë sot për media se numri i personave të helmuar që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore në këtë qendër ka shkuar në mbi 1 mijë e 500.

Ai ka thënë se gjendja e pacientëve është e mirë.

Ndërsa, derisa gjatë 24 orëve të fundit në këtë qendër janë raportuar dy viktima, mjekë nga QKMF kanë thënë  se viktimat kanë pasur probleme tjera shëndetësore, njëri edhe probleme me zemër, andaj edhe vdekjet e tyre nuk janë lidhur me helmimin.

Komuna e Deçanit, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit, ka marrë vendim sot që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune.

Me t’u marrë ky vendim është kërkuar që të punohet me kapacitete të plota njerëzore dhe humane për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Deçanit.

Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka kërkuar që uji në fshatrat e Deçanit të mos përdoret për pije.

(Kosova Sot Online)