Djali i Ukshin Hotit emërohet kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime lidhur me personat e zhdukur

  • A.P /
  • 14 July 2021 - 16:32
Djali i Ukshin Hotit emërohet kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime lidhur me personat e zhdukur

Ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, djali i veprimtarit shqiptar, Ukshin Hoti, është emëruar kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur.

Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e emëroi Hotin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qendror për Persona të Zhdukur.

Përmes një njoftimi për media, zyra e kryeministrit tha se “obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”.

“Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës. Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, është thënë një në njoftim.

(Kosova Sot Online)