Vetura të zhytura në ujë dhe shtëpi të shkatërruara, pamje nga përmbytjet në Gjermani

  • G.G /
  • 15 July 2021 - 09:28
Vetura të zhytura në ujë dhe shtëpi të shkatërruara, pamje nga përmbytjet në Gjermani

Të paktën 30 persona janë zhdukur pas disa përmbytjeve masive në Gjermani, në qytetin perëndimor të Schuld, Rheinland-Pfalz.

Vërshimi i ujërave shkatërroi 6 shtëpi dhe dëmtoi 25 të tjera.

Autoritet thanë se reshjet e mëdha të shiut bënë që lumenjtë lokalë të dalin nga shtretërit e tyre, duke përmbytur krejtësisht zonën.

Policia tha se situata në qytetin e përmbytur mbetet e paqartë ndërsa autoritetet gjermane po i nxisin njerëzit të qëndrojnë në shtëpi gjatë emergjencës.

Sipas raportimeve të televizionit SWR, rreth 30 persona janë zhdukur dhe 25 shtëpi të tjera janë në rrezik që të shemben në distriktin Schuld bei Adenau, shkruan The Guardian.

Dy zjarrfikës u mbytën në ujë dhe ushtria u dërgua për t’i ndihmuar banorët e ngujuar të mërkurën, pasi moti me shtypje të ulët shkaktoi vërshime që ndodhin një herë në gjeneratë.

Shërbimi gjerman i motit lëshoi paralajmërim për mot ekstrem të mërkurën për disa pjesë të tri rajoneve perëndimore, ndërsa qyteti Hagen, me 180 mijë banorë, shpalli gjendje emergjente, pasi Lumi Volme doli nga shtrati i vet.

(Kosova Sot Online)