Gjykata e lartë e BE-së vendos për shaminë në vendin e punës

  • G.G /
  • 15 July 2021 - 12:05
Gjykata e lartë e BE-së vendos për shaminë në vendin e punës

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian të enjten vlerësoi që kompanitë mund t’ua ndalojnë punëtoreve myslimane vendosjen e mbulesës së kokës në rrethana të caktuara. Vendimi i kësaj gjykate erdhi pasi dy gra myslimane paraqitën raste në këtë organ shkaku i pezullimit të tyre nga puna në Gjermani pikërisht për shkak të shamisë.

“Ndalimi i veshjes së çfarëdo forme të shprehjes së besimit politik, filozofik ose fetar në vendin e punës mund të justifikohet me nevojën e punëdhënësit për të paraqitur imazh neutral para klientëve ose për t’i parandaluar mosmarrëveshjet shoqërore”, tha kjo gjykatë.

“Megjithatë, ky justifikim duhet të përputhet me nevojën e vërtetë nga ana e punëdhënësit dhe, për zgjidhjen e të drejtave dhe interesave në këtë çështje, gjykatat kombëtare mund ta marrin parasysh kontekstin specifik të shtetit të tyre anëtar, veçanërisht dispozitat më të favorshme kombëtare për mbrojtjen e lirisë së religjionit”, thuhet më tej në vlerësimin e gjykatës.

Dy gratë myslimane që u pezulluan nga puna – një kujdestare në çerdhe fëmijësh në Hamburg dhe një arkëtare në një zinxhir barnatoresh – nuk ishin duke përdorur mbulesë në kokë në kohën kur kishin filluar të punonin, por e kishin vendosur atë disa vjet më vonë, pas kthimit nga pushimi i lehonisë, shkruan Reuters.

Atyre u ishte kërkuar nga punëdhënësit përkatës që një gjë e tillë nuk është e lejuar dhe në kohë të ndryshme ose u pezulluan, ose iu kërkua që të shkojnë në punë pa mbulesë ose të vendosen në një pozitë tjetër pune, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Çështja e shamisë ka nxitur kundërthënie në mbarë Evropën për vite të tëra dhe i ka vënë në pah përçarjet e thella rreth integrimit të myslimanëve. Në një vendim të vitit 2017, gjykata e BE-së në Luksemburg kishte thënë se kompanitë mund t’ua ndalojnë punëtoreve vendosjen e mbulesës islame dhe simboleve tjera fetare në rrethana të caktuara. Ky vendim kishte nxitur reagime të shumta nga grupet fetare.

(Kosova Sot Online)