Tërnava flet për martesën e një burri dhe një gruaje: Ata që duan ta ndryshojnë familjen, janë kundër Zotit

  • E.K /
  • 20 korrik 2021 - 10:11
 Tërnava flet për martesën e një burri dhe një gruaje: Ata që duan ta ndryshojnë familjen, janë kundër Zotit

Besimtarët myslimanë në Kosovë festojnë Kurban Bajramin. Në të gjitha xhamitë e vendit u krye falja e namazit, ndërsa manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Aty u theksua dhe rëndësia e madhe që ka kjo festë për besimtarët myslimanë.

“Festa e Kurban e Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme për besimtarët myslimanë sepse vjen pas përfundimit të Haxhit në vendet e bekuara dhe therjes së kurbanit. Haxhi është ndër kushtet themelore të fesë islame i cili kryhet në kohë të caktuar, në vend të bekuar dhe kushte të veçanta ku në mënyrën më të mirë manifestohet barazia, drejtësia, uniteti, pendimi e reflektimi për punë e vepra të mira”, tha Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Mesazhi i kësaj feste këtë vit u përqendrua te rëndësia e familjes. “E kemi për obligim fetar por edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen. Ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të. Për ne familje është e shenjtë prej secilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe llojit njerëzor mbi tokë. Familje ose fole familjare është vetëm ajo e cila është ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përben një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë së shëndoshë islame dhe humane”.

Myftiu i Kosovës kritikoi ato nisma që mund të dëmtojnë familjen. “Nismat dhe qëndrimet për ta goditur familjen janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Krijuesit të Gjithësisë dhe kundër natyrshmërisë së njeriut”.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit islam. Prerja e kurbanit, është detyrim për të gjithë ata që kanë mundësi, dhe me anë të tij tregohet përkushtimi dhe devotshmëria e besimtarit ndaj Zotit”.

(Kosova Sot Online)