Kosovarët garojnë me Lamborghini dhe BMW me shpejtësi marramendëse drejt Vlorës, ikin nga policia

  • E.K /
  • 20 July 2021 - 13:12
 Kosovarët garojnë me Lamborghini dhe BMW me shpejtësi marramendëse drejt Vlorës, ikin nga policia

Policia në Fier ka ndaluar dy kosovarë, të cilët kanë qenë duke shkuar drejt Vlorës, me shpejtësi marramendëse.

Në njoftimin e policisë së Fierit, bëhet e ditur se vetura ka qenë duke lëvizur 225 kilometra në orë.

“Me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës, dy kosovarët nuk ndalojnë radarit në Fier por bllokohen nga Policia në hyrje të Vlorës. 225 km/h, pavarësisht makinave luksoze, kjo është papërgjegjshmëri ndaj jetës,  shpejtësi të tilla janë vrastare, rrezikojnë seriozisht jetën tuaj e të përdoruesve të tjerë të rrugës. Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Pojan”, janë konstatuar nga radari automjetet me targa zviceriane tip “Lamborghini” dhe “BMW” duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se policia iu ka bërë me shenjë që të ndalen, por drejtuesit e automjeteve nuk kanë ndalur veturat e tyre.

“Automjeteve u është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet”, thuhet në njkoftim.

Drejtuesit e automjeteve janë ndaluar dhe janë ndëshkuar me masë administrative.

“Të dy drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar  me masë administrative  168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar  me masë administrative  120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie””, thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

(Kosova Sot Online)