Pamje: Fauci përplaset me senatorin republikan: Nëse dikush po rren, ai je ti

  • G.G /
  • 21 July 2021 - 10:28
Pamje: Fauci përplaset me senatorin republikan: Nëse dikush po rren, ai je ti

Kryekëshilltari për shëndetësi i Presidentit Joe Biden dhe figura e njohur në luftën kundër pandemisë në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, është përplasur me një senator të Partisë Republikane në opozitë, pasi ky i fundit e akuzoi shkencëtarin e njohur për gënjeshtër.

Tensionet në një seancë dëgjimore rreth pandemisë së koronavirusit u rritën, kur Fauci, ekspert i sëmundjeve ngjitëse, filloi të përplasej me senatorin republikan, Rand Paul, i cili njihet si kundërshtar i përdorimit të maskave.

Senatori pretendoi se Fauci ka gënjyer në Kongres në maj të këtij viti, kur kishte mohuar se Institutet Kombëtare të Shëndetësisë kishin financuar një hulumtim rreth virusit për ndikimin në botën reale, shkruan The Guardian.

“Dr. Fauci, duke e ditur që është krim ta gënjesh Kongresin, a dëshiron ta tërheqësh deklaratën tënde të 11 majit, ku ti pretendove se Institutet Kombëtare të Shëndetësisë kurrë nuk e kanë financuar hulumtimin në Wuhan”, shtroi pyetje senatori Paul.

Fauci ia ktheu: “Senator Paul, unë kurrë nuk kam gënjyer para Kongresit më parë dhe nuk e tërheq atë deklaratë”.

Pasi senatori e ndërpreu, Fauci këmbënguli: “Më lejo që ta përfundoj. Senator Paul, ti nuk po e di se për çfarë po flet, qartazi dhe dua ta them këtë zyrtarisht. Ti nuk po e di se për çfarë po flet.”

Ata vazhduan ta ndërprisnin njëri-tjetrin dhe udhëheqësi i komisionit u mundua që ta kthente kontrollin në mbledhje. Fauci më pas i tha senatorit republikan: “Nëse dikush është duke gënjyer këtu, ai je ti.”

https://www.youtube.com/watch?v=ahmJ1kYcnnM&feature=emb_title

(Kosova Sot Online)