Ministri kroat i Shëndetësisë: 15 persona janë lënduar rëndë, përfshirë një vajzë të mitur

  • A.P /
  • 25 korrik 2021 - 12:11
Ministri kroat i Shëndetësisë: 15 persona janë lënduar rëndë, përfshirë një vajzë të mitur

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh kanë shkuar në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur.

“69 persona, 67 pasagjerë dhe 2 shoferë u përfshinë në aksident”, tha Berosh. “15 persona u plagosën rëndë”, shtoi ai.

“Kishte edhe të mitur në aksident, një vajzë u plagos rëndë”, theksoi ministri kroat.

Ai tha se në terren ishin përfshirë shpejt 6 ekipe të ndihmës së shpejtë.

Kreu kroat i Mbrojtjes Civile, Damir Trut tha se në autobus kishte edhe fëmijë.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samardzhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur, ndërsa ai i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin, po qëndron në stacionin rajonal të Policisë.

(Kosova Sot Online)