Vakti i fundit i një mumieje europiane është jashtëzakonisht i zakonshëm

  • E.K /
  • 29 July 2021 - 10:26
 Vakti i fundit i një mumieje europiane është jashtëzakonisht i zakonshëm

Trupat e njerëzve të mumifikuar nga shkaqe natyrore në moçalet e Europës mijëra vite më parë, përfaqësojnë disa nga viktimat më enigmatike të të gjithë historisë njerëzore. Të konservuar në moçalet e Evropës veriore dhe Britanisë së Madhe, këto trupa kanë ruajtura shprehitë e fytyrës deri në detaj, si dhe ato shpalosin metodat që janë përdorur për t’i vrarë rreth 2,000 vite me parë.

Njeriu Tollund mund të konsiderohet si një nga viktimat e mumifikuara më të ‘famshme’ në botë. I zbuluar në vitin 1950 në Danimarkën veriore, ky burrë i Epokës së Hekurit është gjetur me një kapele prej leshi që e mbante rreth qafës si dhe me lakun e lëkurës që ishte përdorur për ta mbytur atë rreth vitit 350 p.e.s.

Metodat e përdorura për të vrarë viktimat e mumifikuara variojnë, ama ajo që u intereson arkeologëve është të kuptojnë nëse këto vrasje ishin të zakonshme – apo ceremoniale? Dhe nëse këto sakrifikime ishin pjesë ritualesh, si zgjidheshin viktimat dhe a ushqeheshin me ndonjë vakt të veçantë apo lëndë intoksikuese për t’ua zbutur përvojën terrorizuese të vdekjes së sigurt?

Një studim i publikuar së fundmi nga revista Antiquity analizon në detaj vaktin e fundit të Njeriut Tollund, një vakt jashtëzakonisht i zakonshëm.

Qull i djegur

Kur u gjet Njeriu Tollund rreth 70 vite më parë, studiuesit ekzaminuan me kujdes stomakun dhe zorrët e tij të ruajtura dhe të padëmtuara dhe ata arritën në përfundimin se burri në moshë të mesme kishte konsumuar vaktin e tij të fundit 12-24 orë para se të ndërronte jetë.

Tashmë teknologjia na lejon të shohim shumë më thellë. Rezultatet tregojnë se vakti i fundit i Tollund Man ishte pikërisht qulli – i përbërë nga një përzierje elbi, liri, fara barishteje të egër dhe peshk – një ushqim goxha standard për atë kohë, bazuar në analizën e 12 viktimave të tjerë evropiane të Epokës së Hekurit, të cilët para se të vdisnin kishin ngrënë ushqime të bazuara në drithëra, shpesh të shoqëruara me mish dhe manaferra.

Për studiuesit, është e vështirë të thuhet nëse ky ishte një vakt tipik dhe i zakonshëm për atë kohë, pasi shumica e të dhënave rreth dietës së Epokës së Hekurit vjen vetëm nga kufomat e trupave të mumifikuar nëpër moçale.

Studiuesit arritën të zbulonin edhe mënyrën se si ishte përgatitur vakti i fundit i Burrit Tollund, i cili tregon se qulli u gatua në një poçe balte dhe në fakt ai ishte paksa i djegur.

Profesori i arkeologjisë në Universitetin e Birmingemit, Henry Chapman, mendon se peizazhi i moçaleve evropiane mund të na ndihmojë të kuptojmë arsyen përse njerëzit sakrifikoheshin në to.

Në vitet para vdekjes së një tjetër mumieve të famshme në Angli të njohur si Njeriu Lindow, moçali ku ai u vendos për të pushuar pas vdekjes, tregon se toka përreth në ato kohë po bëhej gjithnjë e më e lagësht, gjë që na bën të kuptojmë se tokat bujqësore për njerëzit që jetonin atje kishin filluar të bëheshin të papunueshme dhe të sillnin varfërimin e të gjithë zonës.

“Studiues të ndryshëm sugjerojnë se sakrifikimi i qenieve njerëzore bëhej në formë rituali dhe si thirrje për ndihmë në emër të perëndive, kur kushtet mjedisore përkeqësoheshin dhe bëheshin të papërballueshme për jetesën e banorëve të këtyre zonave,” shpjegon Chapman.

Pavarësisht ruajtjes së tyre të jashtëzakonshme për mijëra vite më radhë, arkeologët ngurrojnë të dalin në përfundime të sigurta rreth përditshmërisë së banorëve të Epokës së Hekurit në Evropë.

“Mumiet e moçaleve janë të pazakonshme,” thotë Chapman. “Ama ky është në të njëjtën kohë, edhe bekimi edhe mallkimi I tyre.”

(Kosova Sot Online)