Nisin hetimet për keqpërdorim të pozitës ndaj personave të apostrofuar në incizimet e publikuara

  • G.G /
  • 03 August 2021 - 19:08
Nisin hetimet për keqpërdorim të pozitës ndaj personave të apostrofuar në incizimet e publikuara

Burime brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë konfirmuar se kanë autorizuar fillimin e hetimeve në lidhje me incizimet e publikuara gjatë javës së kaluar në mediat online, mbi dyshimet për keqpërdorim të pozitës nga ana e zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë dhe agjencive të pavarura.

“Do të merren veprime hetimore kundër të gjithë personave të apostrofuar në incizimet e publikuara këto ditë në mediat online”, kanë bërë të ditur burimet brenda prokurorisë.

Të premten e kaluar, më 30 korrik të vitit 2021, janë publikuar disa incizime, në të cilat sipas raportimit, përfshijnë disa zyrtarë të lartë, në mesin e të cilave, edhe prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsie Asllani.

Sipas këtij raportimi, prokurorja Asllani dëgjohet duke folur me një person (i cili nuk bëhet i njohur për publikun), rreth ndikimit të saj dhe ndihmës që ajo ia kishte dhënë një personi për t’u bërë gjyqtarë. “Dikush lypke me i ndihmu për me u bo gjyqtar, edhe kish reputacion edhe më tha më duhet ndihma juaj edhe i thash po kam me të ndihmu se është zyrtar i imi, bashkëpunëtor”, citohet nga incizimet prokurorja Asllani.

Madje prokurorja Asllani flet edhe për ndikim e saj që ka brenda Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. ‘‘Çka e pate ti ata? E ku po te lidh ty? Menjëherë i intereson nëse ty ta kanë ba qata… menjëherë për në AKI kur me tha për me fol, unë fola në AKI, i kam miqtë i kam njerëzit që m’ ruajnë…”, citohet Asllani.

Këto dhe deklarata të tjera të prokurores Shemsie Asllani dëgjohen në këto incizime gjatë një bisede telefonike që zhvillon ajo me një person, i cili raportohet nga “Shqip.com” se ka informacione për të. Sipas raportimit, rezulton se personi që e ka telefonuar i thotë prokurores Asllani se atij i ishte konfiskuar një veturë padrejtësisht dhe kërkon nga ajo që ta ndihmojë për ta nxjerrë atë.

Ndër të tjera, në këto incizime, përmendet edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ku sipas raportimit, rezulton se ka qenë në shtëpinë e prokurores Shemsie Asllani me disa persona të tjerë, për të cilët ka foto dhe incizime. Kryeprokurorit Lumezi në bisedë i referohen si Leka.

Në këto incizime përmendet edhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, Driton Muharremi si dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.

Në lidhje me këto veprime hetimore të autorizuara për këta persona, media ka tentuar të bisedojë përmes telefonit me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, por ai nuk është përgjigjur. Ndërkaq, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj, e kontaktuar përmes telefonit ka thënë se nuk ka njohuri rreth veprimeve të ndërmarra në këtë rast.

Media ka kërkuar përgjigje edhe përmes kërkesave për informacion përmes postës elektronike nga Kryeprokurori Munishi dhe zëdhënësja Ulaj, por ata nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë, ministri Hekuran Murati përmes rrjetit social “facebook” ka njofttuar se pas këtyre incizimeve të publikuara është shkarkuar nga pozita Drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu. “Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, morri vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, thuhet në postimin e Muratit.

(Kosova Sot Online)