“S’mund t’i mbështesë KPK-në dhe KGJK-në kur ata mbyllin sytë para skandaleve të audio-incizimeve”

  • G.G /
  • 11 August 2021 - 14:31
“S’mund t’i mbështesë KPK-në dhe KGJK-në kur ata mbyllin sytë para skandaleve të audio-incizimeve”

Albulena Haxhiu: Ne jemi zotuar që do ta kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Edhe sot paralajmëroj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial se nuk do ta kenë mbështetjen e MD-së, në rast se nuk duan të punojnë bashkërisht për kthimin e besimit të qytetarëve

Ministria e Drejtësisë patjetër që do raporte të mira me  Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë Gjyqësor, por e ka të pamundur t’i mbështesë kur këto do institucione heshtin para skandaleve siç ishte ai i audio-incizimeve të publikuara nga Shqip.com.

Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Unë nuk mund t’i mbështesë kur ata duan t’i mbyllin sytë përballë shkeljeve dhe skandaleve me të cilat jemi përballur ditëve të fundit. Në momentin kur nuk ka reagime si ajo për audio-incizimet, padyshim që do të kritikohen nga Ministria e Drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.

“Sepse ne jemi zotuar që do ta kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Edhe sot paralajmëroj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial se nuk do ta kenë mbështetjen e MD-së, në rast se nuk duan të punojnë bashkërisht për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.

Pas publikimit të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”, ku prokurorë e gjyqtarë dëgjohen duke folur në telefon me një person dhe potencialisht duke kryer shkelje ligjore e disiplinore, asnjë nga institucionet nuk kishte reaguar.

Ishte ministrja Haxhiu që doli me një konferencë për media duke kërkuar reagim nga këto institucione dhe vetëm pas disa ditësh prokuroria kishte filluar hetimet për dy zyrtarë – Shemsije Asllanin, prokurore e krimeve të rënda dhe Driton Muharremin, gjyqtar i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)