Çfarë ka Edi Rama me liderët kosovarë?

  • A.P /
  • 11 August 2021 - 18:10
Çfarë ka Edi Rama me liderët kosovarë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zgjedhur që me një status të gjatë në Facebook, për të shfryrë mllefin e mbledhur ndaj liderëve kosovarë. E nisi me ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj, ani se nuk ia përmendi emrin, duke e bërë fajtor për mosliberalizimin e vizave për Kosovën për ta vazhduar me Kryeministrin Albin Kurti, për “Ballkanin e Hapur”, ku kritikoi Kosovën se nuk po i bashkohet nismës së tij. Çfarë ka Edi Rama?

“Mu nuk më han luli për kta”, ishte deklarata që Rama tha se një lider kosovar ‘ia futi në sy të Merkelit e Makronit’, dhe ia humbi Kosovës liberalizimin e vizave, në Samitin e Berlinit, në vitin 2019.

Nuk ia përmendi emrin, por Rama aludoi në takimet me Kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Ramush Haradinajn.

Menjëherë pas statusit të gjatë të Ramës, reagoi Selim Selimi, i cili në kohën kur Haradinaj ishte Kryeministër i vendit, ishte shef i stafit të tij.

Selimi e dha versionin e tij të bisedës për të cilën shkroi Rama.

“Një bisedë në hollin e pritjes në Bundeskanzleramt (Zyren e Kancelares) ku isha prezent: Lideri X: Po hiqe at dreq takse. Është koha të rregulloni marrëdhëniet me Serbi. Lideri Y: Nuk asht veç pun’ takse. Para dy ditëve kesh në Mejë e ju kom borxh qatyne të rënëve me ju mbrojt gjakun e dinjitetin. Lideri X: Ka përfunduar ajo kohë duhet të heqësh taksën e të arrish marrëveshje: Lideri Y: Ti kqyri punt e tua se as lu*i sme han për ty”, shkroi Selimi në Facebook.

Por, përveç pjesës ku foli për Samitin e Berlinit, Rama hapi edhe temën e “Ballkanit të Hapur”, nismë kjo të cilën Kosova e ka bojkotuar.

Rama po i fajëson liderët kosovarë për qasjen e tyre në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, nga njohësit e çështjeve politike në Kosovë, është pikërisht qasja e Ramës ndaj Kosovës ajo që duhet kritikuar.

Analisti Imer Mushkolaj, ka deklaruar për Gazetën Express se i tërë postimi i djeshëm i Ramës në Facebook, ka të bëjë me refuzimin e Kosovës për të qenë pjesë e “Open Ballkan”, apo “Ballkanit të Hapur”.

“Unë besoj se është kryesisht e lidhur me refuzimin e Kosovës me marrë pjesë në këtë nismën “Ballkani i Hapur” dhe ai statusi plot mllef që e kishte dje, është i lidhur pikërisht me refuzimin e Kosovës. Në njëfarë forme, ai ka mundur ta konsiderojë, apo ia ka marrë mendja se Kosova pa hezitim do të bëhet pjesë e iniciativës dhe kjo nuk ka ndodhur kështuqë ai është një sulm për këtë qasje të Kosovës, njëfarë qasje patronaliste thuajse ai është personi kryesor i cili duhet të dëgjohet edhe prej liderëve në Kosovë, ndërkohë që nuk është i tillë, është vetëm Kryeministër i një shteti, që është Shqipëria”, ka deklaruar Mushkolaj.  

Mushkolaj thotë se Rama po i tejkalon përgjegjësitë që i takojnë si Kryeministër i Shqipërisë dhe si një prej pjesëmarrësve në nismën “Ballkani i hapur”, në të cilën përveç Kosovës, nuk marrin pjesë as Mali i Zi dhe Bosnja.  

“Është shumë banale lidhja që ish përpjekë dje me e bë, duke thënë se njohja e Kosovës nga Serbia kalon në njëfarë forme nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”, sikurse çështja e liberalizimit të vizave. Madje, në nëntekst, ashtu siç unë e lexova, në njëfarë forme edhe bashkimi Kosovë-Shqipëri, do të thotë heqja e atij kufirit, po u bëjka nëpërmjet Ballkanit të Hapur. Në fakt, gjithë kjo qasje e z.Rama është se ai po përpiqet që liderët politikë të Kosovës t’i nxjerr totalisht të papërgjegjshëm karshi përgjegjësive që i kanë. Së pari e nxori të papërgjegjshëm z.Haradinaj, duke na thënë se për faj të tij qytetarët e Kosovës kanë mbetur të izoluar. Së dyti e nxori z.Kurti sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur. Edhe atë që ish përpjekur ta risjellë atë shprehjen e vjetër popullore “hajde babë t’i kallëzoj megjat” e ai e kish kthy “duhet t’i tregojmë arat”, do të thotë u bëmë ne si Kosovë t’u tregojmë Evropës dhe Amerikës ku janë megjat. Njëfarë  nënçmimi, siç e pashë unë, totalisht ndaj lidershipit të Kosovës, atij të kaluar dhe këtij aktual, dhe në përgjithësi karshi Kosovës”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, Rama ka gabuar nëse ka menduar se lidershipi i Kosovës do t’i bindet dhe do ta ndjek në idetë e përbashkëta që i ka me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ai nëse ka menduar se liderët e Kosovës do t’i binden pa marrë parasysh se çfarë pretendon ai, pra me çdo kusht ta ndjekin pas në idetë e tij që i ka të përbashkëta me Presidentin e Serbisë, ka gabuar rëndë.  Ndoshta edhe z.Kurti tash, por edhe z.Haradinaj dikur, nuk kanë bërë mirë sa i përket çështjes së Minishengenit, mirëpo kjo mbetet me u pa. Por, nëse Kosova nuk merr pjesë në Minishengen, bashkë me Bosnjën dhe Malin e Zi, kjo është një iniciativë qysh në start e dështuar. Dhe këtu po i dhemb Ramës, sepse një projekt i tij në bashkëpunim me Presidentin e Serbisë thjesht po dështon, sipas tij për shkak sipas tij, të “papërgjegjshmërisë” që kanë liderët e Kosovës”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolaj tha se qasja e Ramës i dëmton politikisht raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas tij, në 20 vitet e fundit, qasja e lidershipit të Shqipërisë karshi Kosovës, më tepër ka qenë qasje partiake e shoqërore, sesa shtetërore.

“Politikisht i dëmton raportet. Po flas vetëm për raportet politike, ndërshtetërore, jo për aspektin e raporteve ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Por, përplot probleme të cilat Rama i ka numëruar dje në statusin e vet, por edhe që i numëron shpesh, jo heqja e ‘traut’ siç e quan ai ose heqja e kufirit e të tjera, thjesht Kosovën dhe Shqipërinë s’po i pengon askush, në fakt vetëm le të zbatohen ato marrëveshjet e nënshkruara, që janë me dhjetëra, edhe është njëfarë hapje në mes të dy shteteve, pa pasur nevojë që kjo hapje të bëhet në kuadër të iniciativave si “Ballkani i Hapur””, ka deklaruar Mushkolaj.

Se Rama po shfryen mllef ndaj liderëve kosovarë të cilët nuk po i nënshtrohen në politikat e tij, mendon edhe analisti Astrit Gashi.

Gashi ka deklaruar për Gazetën Express se këtë qasje, pas Haradinajt e Kurtit, Rama do ta vazhdojë edhe me Abdixhikun e liderët tjerë.

Kjo sipas Gashit vjen pasi Rama po tenton të sillet si një ‘baba i kombit’.

“Rama po ndjek një politikë rajonale të pavarur dhe pa një dakordim me Kosovën, në fakt duke e ëprjashtuar atë nga kjo vendimmarrje e përbashkët. I mllefosur se asnjëri nga liderët kosovarë nuk po ju nënshtrohen politikave të tij unilaterale, po hedh mllef në secilin që mundet, herë në Haradinajn, e herë në Kurtin. Të nesërmen këtë do ta bëjë edhe me Abdixhikun, e të tjerët. Rama po tenton të sillet si një baba i kombit e që nuk i pyet fëmijët e tij, ndërkohë që pastaj mllefoset si një fëmijë kur këta nuk i nënshtrohen”, ka deklaruar Gashi.

Për deklaratat e Kryeministrit shqiptar ka reaguar sot edhe profesori Blerim Latifi.

Latifi ka thënë se Rama nuk është tradhtar, por se ka zgjedhur ta trajtojë gabimisht problemin aktual të Shqipërisë, që është bllokimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Edi Rama nuk është Esat Pashë Toptani i viteve 1913- 1920. As Ahmet Zogu i vitit 1924. As Enver Hoxha i vitit 1946. As Sali Berisha i viteve ’90. As Fatos Nano i takimit të mitizuar të Kretës. Edi Rama nuk e ka zorin e tyre, që të ketë nevojë të ecë rrugës së tyre. As Shqipëria e sotme nuk është në atë gjendje që t’i thotë po secilës kërkesë që mund t’i bëhet nga ndonjë horr shovinist i Beogradit. Edi Rama ka përpara një hall tjetër të madh dhe gabimi i tij është se ka zgjedhur instrumente joefektive për ta trajtuar atë”, ka shkruar Latifi.

Ndryshe, Ramush Haradinaj, i cili kishte marrë pjesë si Kryeministër i Kosovës në Samitin e Berlinit në vitin 2019, pati deklaruar se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishin bërë presion për ta larguar taksën ndaj produkteve serbe.

“U përsërit ajo që më ka ndodh edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Më së vështiri ish. Edhe Presidenti (Thaçi) edhe Edi Rama më shumë bënin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Në një gjuhë që ishte në anglisht, që e merrnin vesh edhe Kancelarja Merkel edhe Presidenti Macron”, pati deklaruar Haradinaj në një intervistë për T7.

Derisa për “Ballkanin e Hapur”, të cilin Rama e përmendi dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo nismë më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të ëprbashkët për vendet e rajonit.

Sipas Kurtit, kjo nismë në të cilën bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)