Kush mund të kandidojë e kush jo për zgjedhjet e 17 tetorit? Listat kontrollohen nga shtatë institucione

  • E.K /
  • 20 August 2021 - 14:23
 Kush mund të kandidojë e kush jo për zgjedhjet e 17 tetorit? Listat kontrollohen nga shtatë institucione

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur rreth procesit të certifikimit të kandidatëve për asamble komunale dhe atyre për kryetarë komunash, për zgjedhjet e 17 tetorit.

Elezi ka deklaruar se janë dërguar në shtatë institucione listat me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve të subjekteve politike të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Ju njoftoj se janë dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë, është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave i është bashkangjitur edhe lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Edhe rreth 2 mijë emra të tjerë do të dërgohen së shpejti në këto institucione”, ka deklaruar Elezi.

Elezi tha se listat janë dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Mbrjotjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Doganën e Kosovës.

 “Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë. Këto shkresa janë dërguar në institucione të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës,  Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës”, ka deklaruar Elezi.

Këto janë procedurat që do të ndiqen deri te certifikimi apo jo i kandidatëve:

•          Pikat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Prandaj, është kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të na dërguar emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.

•          Në përputhje me pikat ‘b’, ‘k’, ‘c’ dhe ‘g’ të nenit 29, është kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kosovës; nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nëse janë përfaqësues diplomatik.

•          Po ashtu, në përputhje me pikën ‘e’ të nenit 29, shkresa është dërguar edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

•          Në mesin e institucioneve të tjera të cilave janë kontaktuar është edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Duke u mbështetur në detyrimet që dalin nga pikat ‘o’, ‘r’ dhe ‘s’ të nenit 29 është kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhri të PZAP-it.

Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-së, është planifikuar që deri më 23 gusht të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve. Natyrisht se kjo po ndodhë edhe më shpejt dhe kjo do të krijojë më shumë kohë për këto institucione që të shqyrtojnë këto shkresa dhe të na kthejnë përgjigje. Po sipas planit operacional, do të presim përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht.

Pas pranimit të përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatis rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator.

Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator.

(Kosova Sot Online)