Miroslav Lajçak paralajmëron vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në fillim të shtatorit

  • E.K /
  • 27 August 2021 - 12:02
Miroslav Lajçak paralajmëron vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në fillim të shtatorit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në fillim të muajit shtator.

Këtë lajm Lajçak e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter ku ka shkruar se ka biseduar me zëvendëskryministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç për përgatitjet e takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh.

“Sot, kam pasur diskutime thelbësore të veçanta me Zëvendëskryeministrin e Parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me Drejtorin e zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, në lidhje me përgatitjet për takimin e ardhshëm të dialogut në nivel kryenegociatorësh në fillim të shtatorit”, shkruan Lajçak.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçic-it është mbajtur në muajin korrik.

Agjenda e propozuar nga Kurti me katër pika, mes të cilave ishte dhe një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, nuk gjeti mirëkuptimin e presidentit të Serbisë.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe asociacioni mbetet çështja kyçe e negociatave.

Kosova kundërshton krijimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive, ndërsa Serbia kërkon zbatimin e marrëveshjeve të firmosura më herët.

(Kosova Sot Online)