Afganët kanë arritur në Prishtinë, presidentja e kryeministri në aeroport

  • A.P /
  • 29 August 2021 - 21:34
Afganët kanë arritur në Prishtinë, presidentja e kryeministri në aeroport

Në Kosovë arriti grupi i parë i afganëve, prej rreth 100 personash, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Ata u transportuan me një avion të forcave ajrore amerikane.

Për të pritur qytetarët afganë, në Aeroportin “Adem Jashari” kanë dalë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett. Po ashtu, aty janë edhe Ministri i Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm, Armend Mehaj, përkatësisht Xhelal Svecla.

Qeveria e Kosovës ka thënë se do të strehojë përkohësisht rreth 2,000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Kosova tashmë ka miratuar mbrojtjen e përkohshme për afganët që kanë punuar me forcat amerikane, me ato të NATO-s dhe për familjet e tyre. Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

(Kosova Sot Online)