Mulliqi: Kosova është vendi më pro-amerikan derisa Serbia është aleati besnik i Rusisë

Mulliqi: Kosova është vendi më pro-amerikan derisa Serbia është aleati besnik i Rusisë
Mulliqi: Kosova është vendi më pro-amerikan derisa Serbia është aleati besnik i Rusisë

Skender Mulliqi

  • 17 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Dialogu maratonik Kosovë–Serbi i imponuar nga Bashkësia Ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella nuk solli rezultatet e pritura, jo me fajin e Kosovës. Serbia përdori gjithë kohën obstruksione politike për ta zvarritur këtë proces, për të krijuar situata politike në favor të saj. Këtij shteti bisedimet e ndërprera dhe të zhvilluara kohë pas kohe më shumë i sollën favore si një shtet gjenocidal, me në krye kriminelin e luftës, presidentin e saj, Aleksandar Vučić, një prorusi të theksuar së bashku me shumicën e popullit serb, që rusët i konsiderojnë vëllezër.

 

-Që bisedimet të futen në qorrsokak, kontribut në këtë drejtim, pos Serbisë, dhanë edhe ndërmjetësit e BE-së në bisedime: Miroslav Lajčák, Josep Borrell dhe amerikani Gabriel Escobar. Ishin shumë të njëanshëm në bisedime, duke e faktorizuar Serbinë, thuajse ajo ishte viktima e jo xhelati, që ka vrarë mijëra boshnjakë dhe shqiptarë me rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë së Josip Broz Tito. Kurrë nuk kërkuan në bisedime që Serbia paraprakisht të pranojë pavarësinë e Kosovës. Kjo u bë gjoja me motivacion se ndoshta do ta largonin Serbinë nga ndikimi i politikës pro-ruse. E dihet mirëfilli se klika e ish-kriminelëve të luftës në pushtetin aktual të këtij vendi janë mbështetës të Rusisë diktatoriale të Vladimir Putin. Presidenti serb rrallë zbatoi ndonjë marrëveshje të mbajtur në Bruksel dhe së fundi nuk nënshkroi as aneks-marrëveshjen e Ohrit. Nuk e zbatoi, sepse ndërmjetësit e lartpërmendur në bisedime nuk kërkuan me ngulm kurrë nga Serbia që kjo të ndodhte. BE-ja dhe Amerika e Joe Biden dështuan në avancimin apo përfundimin e dialogut me sukses, për shkak të tolerancës që iu bë Serbisë, e cila gjithë kohën destabilizoi me akte dhune veriun e Kosovës, përmes bandave terroriste të Vučićit dhe Radoiçiqit. Madje, çuditërisht, pse Qeveria e Albin Kurti vendosi për herë të parë pas përfundimit të luftës në veri rend dhe ligj, Kosova u ndëshkua me masa të embargos ekonomike, që tash vonë kanë filluar të hiqen nga BE-ja. U dënua vetëm verbalisht rasti i terrorit të Banjskës, por jo edhe me ndonjë masë konkrete, edhe pse ishte formuar një komision i posaçëm. Kjo është një temë e gjerë që është elaboruar shumë herë për opinionin e gjerë publik.

Sa i përket deklaratës së përfaqësueses së SHBA-së në OKB, Tammy Bruce, në fjalën e saj në seancën për Kosovën, ku u kërkua që Kosova dhe Serbia të zotohen për të punuar bashkë drejt së ardhmes, kemi një qasje krejt ndryshe nga ajo e deritanishmja karshi dialogut, që nuk e favorizon në asnjë mënyrë Serbinë. Amerika përmes Bruce dha një mesazh se rruga e vetme e qëndrueshme përpara është normalizimi i marrëdhënieve të ndërsjella. Serbia nuk vuri masa të embargos të kërkuara nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj Rusisë për shkak të luftës pushtuese ndaj Ukrainës. Edhe në këtë situatë të luftës ndërmjet Amerikës dhe Iranit, sërish Vučići u doli në krah aleatëve të Rusisë në luftë, duke adresuar kritika ndaj Amerikës. Administrata e presidentit Donald Trump nuk do ta pranojë qasjen pro-ruse të Serbisë, i cili në një deklarim para disa kohësh e kishte bërë të ditur se Serbia hegjemoniste nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Ballkan. Kosova është vendi më pro-amerikan dhe pro-perëndimor në botë, pro-NATO, kurse Serbia është aleati besnik i Rusisë. Mendoj se Serbia do të ballafaqohet me presion të madh, që nuk ka kah t’ia mbajë më. Ajo duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, ose do të përballet me masa serioze ekonomike dhe masa të tjera. Madje, nëse tenton të shfrytëzojë krizën globale në botë me disa luftëra që po zhvillohen, do të përballet sërish me NATO-n. Mendoj se rendi i ri botëror që po formohet nuk do të jetë i favorshëm për Serbinë me logjikë luftënxitëse në rajon. Besohet se Trump do të veprojë konkretisht në vendimet e tij. Kosova duhet ta çajë bllokadën politike dhe institucionale në këtë moment delikat gjeopolitik dhe gjeostrategjik në botë. Kërkohet një qasje uniteti të brendshëm të spektrit politik përballë një shteti që nuk po pajtohet se e ka humbur luftën dhe nuk po pajtohet se Kosova prej 26 vitesh është shtet sovran dhe i pavarur. Armiku gjithmonë mbetet armik. Mobilizimi në politikat e jashtme duhet të jetë në nivelin më të lartë kur dihet se ende katër shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në këtë drejtim nevojitet që edhe shtetet e tjera të BE-së dhe Amerika të bëjnë presion më të madh që këto vende ta njohin pavarësinë e vendit tonë. Gjithashtu është moment vendimtar që, në këtë periudhë të tensioneve globale, edhe Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe e të gjitha strukturave relevante të BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".