Kosova i rikthehet orës policore

  • A.P /
  • 30 August 2021 - 23:40
Kosova i rikthehet orës policore

Në Kosovë ka filluar ora policore që nga 22:00, e cila pritet të zgjasë deri në orën 05:00 deri më 13 shtator. Kështu është paraparë në masat e reja të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e transmetimit të koronavirusit.

Masat e reja për parandalimin e rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi nga ora 22:00 deri më 05:00 lënë rrugët e zbrazura nga njerëzit, nën administrimin e forcave policore.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe atë “Skënderbeu” në Prishtinë është parë prezenca policore, të cilët shënuan edhe dënimet e para për shkelje të orës policore.

Në kuadër të masave të reja është paraparë edhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë. Kafiteritë dhe restaurantet janë të lejuara të punojnë nga ora 05:00-21:30 vetëm në ambiente të jashtme.

Javëve të fundit situata me pandeminë COVID-19 është përkeqësuar në Kosovë. Vetëm javën e fundit u regjistruan 107 viktima dhe 13.475 raste të reja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, pasi varianti Delta i virusit korona po përhapet me shpejtësi dhe po shënohet dhe rritje e shpejtë e rasteve pozitive me këtë virus.

(Kosova Sot Online)