Akuzohet se i tha zyrtarit të Komunës “ma ke një gjak borxh”, deklarohet i pafajshëm ish-deputeti i Nismës

  • G.G /
  • 01 September 2021 - 13:23
Akuzohet se i tha zyrtarit të Komunës “ma ke një gjak borxh”, deklarohet i pafajshëm ish-deputeti i Nismës

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili po akuzohet se kanosi me fjalët “ma ke borxh një gjak” drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të së mërkurës.

Ai po akuzohet nga prokuroria se në gusht të vitit 2020, në Kuvendin Komunal të Malishevës, kishte kanosur personin zyrtar, drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm Ahmet Morina, pasi që i njëjti me vendim kishte anuluar pëlqimin për investimin e të akuzuarit Shala, në guroren në Gajrak të Malishevës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kastriot Memaj, i akuzuari Shala ka thënë se nuk ndihet fajtor për veprën penale që i ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë e kundërshtoj, nuk është e vërtetë ajo se çka tha prokurori”, tha Shala.

Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Njazi Morina, e ka udhëzuar të njëjtin që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimin e provave si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Me vendim të gjykatësit Morina, shqyrtimi dytë u caktua më 5 tetor të këtij viti.

Aktakuza e ngritur më 2 korrik 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ngarkon Haxhi Shalën se në gusht të 2020-ës në Kuvendin Komunal në Malishevë, seriozisht kanos personin zyrtar, drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë ashtu që me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, pasi që i dëmtuari Morina merr vendim për anulimin e pëlqimit me të cilin i kishte lejuar kompanisë “Ylli Mineral”, për rregullimin e dokumentacionit me qëllim të shfrytëzimit të gurores në zonën kadastrale Gajrak,

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Shala fillimisht e kërcënon përmes telefonit dhe më pas i shkon i revoltuar në zyrë të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “më ke dëmtuar një milion euro që i kam investuar, ke me ma pa sherrin, nëse nuk e tërheq vendimin, deri të premten, ma ke borxh një gjak”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pikërisht të premten i dëmtuari informohet se tre persona kanë qenë në komunë dhe kanë pyetur për të dhe i frikësuar nga fjalët e të akuzuarit dhe interesimi i atyre personave, i dëmtuari shkon në polici dhe në atë moment i akuzuari e telefonon të dëmtuarin duke e pyetur se a e ka tërhequr vendimin dhe me këto veprime tek i dëmtuari shkakton shqetësim dhe frikë.

Për këtë, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

(Kosova Sot Online)