Vdes një prej njerëzve më të besueshëm të Angela Merkel, kishte vizituar edhe Kosovën

  • E.K /
  • 06 September 2021 - 08:57
 Vdes një prej njerëzve më të besueshëm të Angela Merkel, kishte vizituar edhe Kosovën

Jan Hecker, ambasadori gjerman në Kinë ka vdekur në moshën 54-vjeçare, vetëm pak javë pas emërimit në këtë pozitë, ka bërë të ditur ambasada gjermane përmes një njoftimi, shkruan CNN.

Hecker kishte punuar si këshilltar për politikë të jashtme i kancelares gjermane Angela Merkel para se të merrte postin e tij si ambasador më 24 gusht.

“Jemi thellësisht të trishtuar dhe të tronditur për vdekjen e papritur të ambasadorit gjerman në Kinë,” tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane.

“Zemrat tona janë me familjen, miqtë dhe kolegët e tij në këtë kohë.”

Rrethanat rreth vdekjes së diplomatit nuk janë bërë të ditura.

Hecker u emërua Ambasadori i 14 -të Gjerman në Kinë në fund të gushtit. Para emërimit të tij, ai shërbeu si Drejtor i Departamentit të Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe Zhvillimit dhe kishte qenë këshilltar për politikë të jashtme që nga viti 2017.

Kur pranoi detyrën e re, Hecker kishte thënë se qëllimet e tij për misionin e ri ishin “të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Gjermani-Kinë përmes punës sonë” dhe “të forcojë më tej dialogun dhe partneritetin“.

Hecker kishte vizituar Kosovën në vitin 2019-të, ku ishte pritur nga atëherë kryeministri Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)