Blinken do të dëshmojë në Kongres lidhur me tërheqjen nga Afganistani

  • A.P /
  • 07 September 2021 - 23:25
Blinken do të dëshmojë në Kongres lidhur me tërheqjen nga Afganistani

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka pranuar të dëshmojë javën e ardhshme para një komisioni të Kongresit lidhur me tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Afganistani në fund të luftës dy-dekadëshe, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës raporton se ligjvënësit republikanë të opozitës dhe disa demokratë të partisë së Presidentit Joe Biden kanë kritikuar ashpër mënyrën se si u zhvillua tërheqja e trupave, shtetasve amerikanë dhe mijëra afganëve që punuan për forcat amerikane, si përkthyes dhe këshilltarë gjatë luftës.

Kritikat ishin veçanërisht të forta pas sulmit vetëvrasës në aeroportin e Kabulit që la të vrarë 13 ushtarë amerikanë në ditët e fundit të tërheqjes, ku dega e Shtetit Islamik në Afganistan mori përgjegjësinë për sulmin.

Blinken pranoi të dëshmojë para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë të martën e ardhshme, megjithëse ka gjasa që edhe komisione të tjera të Kongresit të hapin hetime mbi tërheqjen.

Tërheqja zyrtare përfundoi më 31 gusht, por rreth 100 amerikanë mbeten ende në Afganistan dhe zyrtarët amerikanë janë zotuar t’i ndihmojnë të dalin nëse duan të largohen. Mijëra afganë po kërkojnë gjithashtu të vendosen në Shtetet e Bashkuara ose vende të tjera për t’i shpëtuar jetës nën talebanët që morën kontrollin e vendit.

(Kosova Sot Online)