Gruaja nga Podujeva kanoset me vrasje nga bashkëshorti, brenda ditës 6 raste të raportuara për dhunë në familje

  • G.G /
  • 15 September 2021 - 10:46
Gruaja nga Podujeva kanoset me vrasje nga bashkëshorti, brenda ditës 6 raste të raportuara për dhunë në familje

Gjashtë raste të dhunës në familje kanë ndodhur gjatë ditës së martë në Kosovë.

Rastet e dhunës në familje janë tre në rajonin e Prishtinës, dy në rajonin e Gjakovës dhe një në rajonin e Mitrovicës së jugut.

Në Prishtinë është arrestuar një person pasi që kishte shkaktuar në vazhdimësi dhunë në familje.

Personi i arrestuar gjatë seancës së tij kishte kanosur verbalishtë familjarët me vrasje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë në familje, ndërsa sot gjatë një seance gjyqësore i ka kanosur verbalishtë me vrasje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Rasti tjetër është raportuar nga një femër në Podujevë, e cila ka informuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur për vrasje nga bashkëshorti i saj.

Gruaja me 3 fëmijët e saj është dërguar tek prindërit e saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është kanosur me vrasje nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima me tre fëmijët e saj është dërguar te prindërit e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti i tretë në rajonin e Prishtinës është raportuar në Podujevë, ku është arrestuar një person pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur ditën e martë rreth orës 19:30.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare”, thuhet në raport.

Rasti në rajonin e Gjakovës është raportuar nga në femër e cila ka thënë se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në këtë raport.

Rasti tjetër në rajonin e Gjakovës ka ndodhur në Malishevë ku janë arrestuar tre persona  pasi që ishin rrahur mes vete.

Ngjarja ka ndodhur në mes të një kryefamiljari dhe dy djemtë e tij.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë (babai dhe dy djemtë), pasi që ishin rrahur në mes vete”, thuhet në raportin e Policisë.

Në rajonin e Mitrovicës së Jugut rasti i dhunës ka ndodhur në Skenderaj ditën e martë, ku është arrestuar një person pasi që kishte sulmuar familjarët e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje i ka sulmuar fizikisht familjarë të tij”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nga gjashtë rastet e dhunës në familje në Kosovë, tre nga to personat janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerë pas intervistimit janë liruar dhe rastet janë në procedurë të rregullt.

(Kosova Sot Online)