Franca akuzon rëndë Bidenin për paktin: Vendim brutal e “thikë pas shpine”, veprove si Trumpi

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 10:23
Franca akuzon rëndë Bidenin për paktin: Vendim brutal e “thikë pas shpine”, veprove si Trumpi

Franca e akuzoi presidentin amerikan, Joe Biden, për “thikë pas shpine” dhe se ka vepruar si paraardhësi Donald Trump, pasi Parisi u la jashtë njërës prej marrëveshjeve më fitimprurëse në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar me Australinë për prodhimin e nëndetëseve që funksionojnë me energji bërthamore.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia thanë më herët se do të bëjnë një marrëveshje të sigurisë për rajonin e Indo-Paqësorit, e cila do ta ndihmojë Australinë për të siguruar nëndetëse amerikane, duke e prishur marrëveshjen me Francën në vlerën e 40 miliardë dollarëve.

“Ky vendim brutal, i njëanshëm dhe i paparashikueshëm ma kujton shumë atë që e bënte dikur Trumpi. Është shkelje e besimit dhe unë jam jashtëzakonisht i zemëruar”, tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, shkruan Reuters.

Në vitin 2016, Australia e përzgjodhi kompaninë franceze për ndërtimin e anijeve, “Naval Group”, për ndërtimin e flotës së re të nëndetëseve në vlerë të 40 miliardë dollarëve për t’i zëvendësuar nëndetëset e vjetra më shumë se dy dekada, “Collins”.

Vetëm dy javë më parë, ministrat australianë të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme ua kishin konfirmuar marrëveshjen homologëve të tyre francezë, por marrëveshja kishte hasur në pengesa për shkak të kërkesës së Australisë që shumica e prodhimit dhe pjesëve ta kishin burimin brenda vendit.

(Kosova Sot Online)