Prokuroria thotë se burri me dashje deshi ta vriste gruan e tij, mbrojtja kërkon ricilësim të veprës

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 10:25
Prokuroria thotë se burri me dashje deshi ta vriste gruan e tij, mbrojtja kërkon ricilësim të veprës

Pejë- Mbrojtësi i të pandehurit F.F, avokati Adem Nikqi ka argumentuar në gjykatoren e Gjykatës së Pejës para trupit gjykues, se plagosja e të bashkëshortes nga i mbrojturi i tij kishte ndodhur nga pakujdesia.

Në fjalën përfundimtare të dhënë para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu, avokati Nikqi tha nga provat e administruara nuk ishin provuar pretendimet e Prokurorisë së Pejës se i pandehuri kishte kryer veprën penale me dashje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jam i bindur se i mbrojturi im pa dashje, pa qëllim e asnjë motiv nga pakujdesia me armë të zjarrit i ka shkaktuar lëndime gruas së tij”, tha Nikqi.

Se vepra kishte ndodhur nga pakujdesia, sipas mbrojtësit Nikqi argumentohet me faktin se i pandehuri dhe bashkëshortja e tij, nuk kishin patur asnjëherë mosmarrëveshje mes tyre.

Në anën tjetër, Nikqi plasoi një sërë vërejtjesh në procedurën hetimore gjatë marrjes në pyetje të bashkëshortes të pandehurit, pasi sipas tij, ajo kishte ndëgjuar në cilësinë e dëshmitarës me dëshmitarë tjerë, me çka propozoi që gjykata të mos klasifikoj këtë deklaratë si të besueshme.

Përveç kësaj, ai shtoi se pyetjet e drejtuara të mbrojturit të tij nga policët e  Stacionit Policor në Klinë, ishin sugjestive  në kundërshtim me ligjin.

Në fund, avokati Nikqi kërkoi nga gjykata që në marrjen e vendimit për denim, të marrë parasyshë faktin se i mbrojturi i tij e kishte dërguar në spital të dëmtuaren, vuajten e tij, se ishte  dorëzuar vullnetarisht në polici dhe sjelljen e tij korrekte në Gjykatë.

Ai tutje shtoi që gjykata të shqiptoj dënim sa më të butë dhe të bëjë ricilësimin e veprës penale në lëndim të rëndë trupor.

Në anën tjetër, Prokurori i shtetit, Agron Galani gjatë fjalës përfundimtare kërkoi nga Gjykata e Pejës, që të pandehurin t’a shpall fajtor dhe të dënoj sipas ligjit.

Këtë prokurori e argumentoi me faktin se sipas tij, të gjitha provat e administruara në shqyrtim kryesor, kishin provuar pretendimet i akuzuari kishte kryer me dashje veprën e tentim vrasjes së rëndë.

Bashkëshortja e të pandehurit dhe vajza e tij kërkuan nga gjykata që i pandehuri të mos dënohet pasi sipas tyre, vepra nuk kishte ndodhur me qëllim por nga pakujdesia.

Shpallja e aktgjykimit u caktua më 20 Shtator 2021, në ora 15:00.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 16 tetor 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon F.F, me tre vepra penale si “vrasja e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në dy raste.

Sipas aktakuzës, në korrik të 2020-ës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën N.N. dhe me atë rast ka vënë në rrezik jetën e dëmtuarve, djalit dhe vajzës së tyre.

Thuhet se në ditën kritike, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të atëçastshme që kanë ndodhur në shtëpinë e tyre, i pandehuri me të dalë jashtë nxjerr nga brezi revolen e llojit M-57, kal 7.62 mm, ku ka shtënë në drejtim të derës së hyrjes, e më pas ka qëlluar edhe dy herë në drejtim të gruas së tij, e cila ishte brenda në korridor të shtëpisë dhe e njëjta kishte pësuar dëmtime të rënda trupore në boshtin kurrizor.

Me çka, i akuzuari F.F, ka kryer vepër penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”.

Në aktakuzë, ai po ngarkohet edhe me dy vepra të tjera penale që pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë zjarri dhe municion, pa leje të organeve kompetente.

(Kosova Sot Online)