“Dorëzohet” Irani, miraton vaksinën amerikane kundër Covid-19

  • G.G /
  • 17 September 2021 - 09:57
“Dorëzohet” Irani, miraton vaksinën amerikane kundër Covid-19

Autoritetet iraniane e kanë miratuar përdorimin e vaksinës së kompanisë amerikane, “Johnson & Johnson”, kundër Covid-19 në kohën kur Republika Islamike po përballet me valën e pestë të pandemisë.

“Vaksina me një dozë kundër koronës e Johnson & Johnson është miratuar”, tha të enjten Mohammad Reza Shanehsaz, drejtor i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve në Iran. Ai gjithashtu njoftoi se është miratuar edhe vaksina ruse, Sputnik V.

Vendimi për ta miratuar përdorimin e vaksinës amerikane në Iran erdhi vetëm tetë muaj pasi lideri suprem, Ayatollah Khamenei, i kishte ndaluar vaksinat e prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani, duke thënë se këtyre shteteve s’mund t’u besohet.

Sidoqoftë, presidenti i ri i Iranit, Ebrahim Raisi, i cili erdhi në pushtet në gusht, ka premtuar se do ta bëjë prioritet luftën kundër pandemisë, shkruan Free Europe.

Ndryshe, Irani deri më tani popullsinë e ka vaksinuar me vaksinën vendore, COVIran Barakat, Sputnik-un rus, Covaxin-in indian dhe me një version të vaksinës së Oksfordit, të prodhuar përmes një bashkëpunimi mes Rusisë e Koresë Jugore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 13 milionë njerëz nga popullsia e përgjithshme prej 83 milionësh deri më tani janë vaksinuar plotësisht.

Irani, bashkë me Italinë, ishte një ndër vendet më të goditura nga pandemia në fazën e parë të saj. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar mbi 5 milionë e 370 mijë të infektuar e rreth 116 mijë viktima.

(Kosova Sot Online)