Vdes ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika – politikani me një rekord botëror

  • S.A /
  • 18 September 2021 - 09:29
Vdes ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika – politikani me një rekord botëror

Vdes ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika – politikani me një rekord botëror

Ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika, ka vdekur pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 84-vjeçare.

Ai e udhëhoqi shtetin e Afrikës Veriore për gati dy dekada, por u tërhoq nga pushteti më 2019, pasi synimi i tij për ta marrë mandatin e pestë nxiti protesta masive.Bouteflika kishte luajtur rol të rëndësishëm në luftën e Algjerisë për pavarësi në vitet e pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta, shkruan BBC.

Më 1999, kur Algjeria po dilte nga një luftë e tmerrshme civile, që la gati 200.000 viktima, Bouteflika u bë president me kërkesën e ushtrisë.

Që nga viti 2013, kur kishte pësuar sulm, ai shihej rrallë në publik dhe lëvizte përmes karrocës. Sulmi e kishte lënë me pasoja në të folur dhe në aftësinë për lëvizje.

Karrierën e tij politike e kishte filluar herët. Pas fitimit të pavarësisë së Algjerisë nga Franca më 1962, ai u bë ministri më i ri në botë i Punëve të Jashtme, kur ishte në të njëzetat. Ky rekord ende nuk është thyer.

Bouteflika shërbeu në postin e ministrit plot 16 vite dhe ishte anëtar aktiv i Kombeve të Bashkuara. Si president i Asamblesë së Përgjithshme më 1974, ai e kishte ftuar udhëheqësin palestinez, Yasser Arafat, që t’i drejtohet organit qeverisës të OKB-së. Veprimi i tij ishte i pashembullt dhe kishte bërë bujë të madhe.

Ai gjithashtu kishte arritur që ta ndërmjetësonte paqen mes ushtrisë dhe militantëve islamikë, të cilët luftonin në luftën civile të Algjerisë.

(Kosova Sot Online )