“We stand…”, Blinkeni e fshin postimin nga Twitter-i, e zbut gjuhën ndaj Kinës
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka fshirë një postim nga rrjeti social, Twitter, në të cilin kritikohej qeveria kineze dhe shprehej përkrahja e ShBA-së për popullin e Hong Kongut. Ai më pas publikoi një postim tjetër me gjuhë më të butë.
Në postimin fillestar të publikuar në llogarinë zyrtare të kryediplomatit amerikan në Twitter shkruhej: “Pekini duhet t’i lë të dëgjohen të gjithë zërat e banorëve të Hong Kongut. Diskualifikimi i këshilltarëve të distrikteve nga PRC-ja (Republika Popullore e Kinës) vetëm e dobëson stabilitetin afatgjatë politik e social të Hong Kongut. Ne qëndrojmë me popullin e Hong Kongut dhe vazhdojmë t’i përkrahim të drejtat dhe liritë themelore të tij.”
Postimi i tij erdhi pasi Kina largoi nga pozitat shtatë këshilltarë pro demokracisë dy ditë pasi duhej të dorëzonin informata për të ndihmuar në përcaktimin e çështjes nëse betimet e tyre në detyrë ishin të vlefshme, shkruan Fox News, transmeton Gazeta Express.
Pas fshirjes së postimit fillestar, në llogarinë e njëjtë më vonë u publikua një postim tjetër, në të cilin shkruhet: “Diskualifikimi i shtatë këshilltarëve rajonalë pro demokracisë nga Republika Popullore e Kinës e minon aftësinë e popullit të Hong Kongut për të marrë pjesë në qeverisjen e vet. Qeveritë duhet t’i shërbejnë popullit që e përfaqësojnë. Ulja e përfaqësimit bie ndesh me frymën e Ligjit Bazë të Hong Kongut.”
Reklamë
Kur u kontaktua nga televizioni Fox News për një deklaratë rreth vendimit për ta fshirë postimin fillestar, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ai postim ishte shkruar me qëllim që të publikohet nga zëdhënësi e jo nga sekretari Blinken.
“Ekipi që e menaxhon llogarinë e sekretarit në Twitter e dërgoi gabimisht postimin që ishte bërë për të dalë nga zëdhënësi. Ne e rregulluam atë lëshim dhe postuam nga dy llogaritë, duke folur për diskualifikimin e këshilltarëve pro demokracisë nga Hong Kongu”, tha zëdhënësi. Ai këmbënguli se postimi nuk është fshirë shkaku i shqetësimeve politike.
The PRC’s disqualification of seven pro-democracy district councilors undermines the ability of people in Hong Kong to participate in their governance. Governments should serve the people they represent. Decreasing representation goes against the spirit of Hong Kong’s Basic Law.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) September 16, 2021
(Kosova Sot Online)