Osmani në takimin me Borell: Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave!

  • G.G /
  • 22 September 2021 - 15:48
Osmani në takimin me Borell: Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave!

Presidentja e vendit, Vjosa Osamni, gjatë qëndrimit në SHBA ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë.

Osmani ka njoftuar se është takuar me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, me presidentin e Guajanës Mohamed Irfaan Ali, me presidentin e Hondurasit Juan Orlando Hernández Alvarado, si dhe ministrin e Jashtëm të Irlandës, Simon Coveney.

Osmani në takimin me Borell ka potencuar se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash, ndaj BE-ja duhet t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës.

Tutje Osmani në takimin me përfaqësuein e lartë të BE-së ka folur edhe për situatën në veri të vendit.

“Në mbrëmje isha e ftuar në një darkë nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, së bashku me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Aty potencova se se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash, ndaj BE-ja duhet t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës. Kurse sa i përket situatës aktuale në Kosovë, theksova se Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat ndërkaq ajo që po ndidhë tani është thjeshtë barazi e reciprocitet. Kërkova nga z.Borrell që BE të jetë më e zëshme ndaj përpjekjeve për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia dhe ndaj kërcënimeve të Serbisë” shkruan Osmani.

Postimi i plotë:

Në ditën e dytë të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, së bashku me ministren e jashtme znj.Gërvalla, vazhduam takimet me krerë shtetesh dhe përfaqësues të rëndësishëm institucionalë të vendeve të ndryshme.

Me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, patëm një takim shumë të frytshëm. Finlanda e njeh mirë kërcënimin ndaj lirisë së vendeve sovrane, ngase është ballafaquar gjatë me kërcënimin rus, ngjashëm me atë serb, me të cilin po përballet rajoni i Ballkanit. Prandaj morëm mbështetjen e Finlandës për të tejkaluar sfidat me të cilat po ballafaqohemi.

Gjatë ditës kishim takim edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, të cilit ia shpalosa synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar sa më shpejt në NATO, për ta siguruar paqen në rajon. Ne duam të hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Sekretari i përgjithshëm, ndërkaq, falenderoi Kosovën për vendimin për strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë.

Në mbrëmje isha e ftuar në një darkë nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, së bashku me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Aty potencova se se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash, ndaj BE-ja duhet t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës. Kurse sa i përket situatës aktuale në Kosovë, theksova se Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat ndërkaq ajo që po ndidhë tani është thjeshtë barazi e reciprocitet. Kërkova nga z.Borrell që BE të jetë më e zëshme ndaj përpjekjeve për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia dhe ndaj kërcënimeve të Serbisë.

Në takim me presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali, diskutuam për rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e Amerikës Qendrore e Jugore dhe promovimin e mundësive për investime, shkëmbime tregtare dhe ekonomike. Kurse me presidentin e Hondurasit Juan Orlando Hernández Alvarado, përveç çështjes së fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, diskutuam edhe që çështja e ndryshimeve klimatike dhe pasojat e saj duhet të bëhen prioritet i agjendës globale.

Po ashtu, takuam edhe ministrin e Jashtëm të Irlandës, Simon Coveney, të cilit ia shpreha vullnetin tonë politik për të hapur kapitull të ri në marrëdhëniet tona dhe përkrahjen e Irlandës për Kosovën në institucione ndërkombëtare, në të cilat ne nuk jemi ende të pranishëm. E ritheksova qëndrimin e institucioneve të Kosovës se dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/401594231325122

(Kosova Sot Online)