Njoftim me rëndësi për kosovarët e pavaksinuar në Gjermani

  • G.G /
  • 23 September 2021 - 11:14
Njoftim me rëndësi për kosovarët e pavaksinuar në Gjermani

Gjermania nuk do të pagujë më për kompensim të punëtorëve të pavaksinuar, të cilët detyrohen t’i nënshtrohen masës së karantinës, pasi është e padrejtë që t’iu kërkohet taksapaguesvë një gjë e tillë për personat që refuzojnë të imunizohen, ka thënë Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn të mërkurën.

Rregullat, të cilat do të nisin së zbatuari nga 16 landet e Gjermanisë, do të fuqizohen më së largu më 11 tetor, ka thënë Spahn.

Këto rregulla do të vlejnë për personat që rezultojnë pozitivë në koronavirus dhe ata që kthehen nga shtetet që konsiderohen me “rrezik të lartë” për koronavirus.

Udhëtarët e pavaksinuar nga lista e atyre shteteve, duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës për të paktën pesë ditë.

Ata që janë të vaksinuar apo së fundmi kanë tejkaluar sëmundjen COVID-19, që shkakton koronaviursi, nuk kanë nevojë të zbatojnë këtë masë.

Kritikët kanë thënë se rregullat e reja janë të barabarta me vaksinim të detyrueshëm, pasi punëtorët nuk mund të qëndrojnë nëpër shtëpi pa u paguar.

“Ne duhet ta shohim këtë ndryshe”, ka thënë Spahn në një konferencë për media.

“Ka të bëjë me korrektësinë. Ata që mbrojn veten dhe të tjerët përmes vaksinimit, mund të pyesin me të drejtë se pse ne duhet të paguajmë për ata që kanë përfunduar në karantinë pas pushimeve në zona të rrezikut”.

Vaksinimi nuk është i detyrueshëm në Gjermani, mirëpo autoritetet kanë marrë masa për ta bërë gjithnjë e më të papërshtatshme situatën për të pavaksinuarit.

Testet për koronavirus, që u kërkohen njerëzve për të drekuar nëpër restorante, nuk do të jenë më falas nga 11 tetori.

Gjermania ka vaksinuar plotësisht 74 për qind të të rriturve, në krahasim me 72.3 për qind sa është mesatarja e gjithë Bashkimit Evropian, tregojnë të dhënat zyrtare në këtë shtet.

(Kosova Sot Online)