Gënjeshtra vazhdon: Serbët e rrahur nga policia, kaluan natë të vështirë e nën mbikëqyrje psikiatrike

  • g./g /
  • 24 September 2021 - 11:39
Gënjeshtra vazhdon: Serbët e rrahur nga policia, kaluan natë të vështirë e nën mbikëqyrje psikiatrike

Në Serbi po vazhdon propaganda kinse Policia e Kosovës ka rrahur dy serbë gjatë ditës së djeshme në Bërnjak.

Policia e Kosovës ka thënë se raportimet e mediave serbe se janë rrahur dy qytetarë serbë janë të pasakta. Pavarësisht kësaj, në Serbi po vazhdon ky raportim.

Madje, sipas B92, dy serbët, të cilët po paraqiten si viktima një rrahje të paqenë nga Policia e Kosovës, kanë kaluar natë të vështirë në spital.

“Ata e kaluan natën nën terapi qetësuese, analgjezikë dhe mbikëqyrje psikiatrike,” ka thënë Dr. Zlatan Elek për Tanjug., transmeton Lajmi.net.

Mediat serbe raportojnë se Dragisa Vlaskovic dhe Zoran Tomovic u pranuan në spital dje me dëmtime të rënda kontuzive në kokë, gjoks dhe trup si rezultat i goditjes, shkeljes dhe të shtënave, dhe u shtruan në spital në departamentin e kirurgjisë.

Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës ka sqaruar dje se nuk ka pasur asnjë ndalim, por as kontakt me ndonjë protestues në pikë kalim kufitar.

“Njësia policore gjatë rrugës ka verifikuar tre kamion gjegjësisht vozitësit e tyre të cilët kanë vozitur prapa kolonës së zyrtarëve policorë duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve dhe operacionit policorë, me ç’rast zyrtarët kanë ndaluar, verifikuar dhe më pas i ka liruar të tre vozitësit të nacionlitetit m/sh kosovarë, të cilët janë udhëzuar të paraqiten në stacionin policorë Jugu – Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se, “Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, medium ky i cili në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla”.

“Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë”, thuhej në komunikatë.

(Kosova Sot Online)