Ministria e Mbrojtjes: Raportimet se FSK po përgatitet të hyjë në Veri janë të pavërteta

  • E.K /
  • 24 September 2021 - 20:51
 Ministria e Mbrojtjes: Raportimet se FSK po përgatitet të hyjë në Veri janë të pavërteta

Ministria e Mbrojtjes ka mohuar raportimet se Forcat e Sigurisë të Kosovës po bëjnë përgatitje ushtarake që të futen në Veriun e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka bërë vetë ministria nëpërmjet një njoftimit, duke sqaruar se FSK merr vendim në përputhshmëri me Kushtetutën dhe koordinim me KFOR-in.

“Dezinformatat  se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar, reagon ndaj të gjitha lajmeve të rrejshme, propagandës qëllimkeqe, dezinformatave dhe shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta, të shpërndara në mesin e qytetarëve tanë në pjesën veriore të Kosovës, disa nga to edhe të publikuar në mediume.

Dezinformatat  se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb.

Ju rikujtojmë se, Ministria e Mbrojtjes me FSK-në, është  institucion shtetëror që realizon detyrat dhe kompetencat e saj në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in.

FSK, është organizatë profesionale dhe multietnike, e  formuar, ndërtuar dhe zhvilluar në bashkëveprim, koordinim dhe mbështetje të plotë të NATO-s, SHBA-së dhe partnerëve tjerë anëtarë dhe partnerë të NATO-s.

(Kosova Sot Online)