Kurti fton në takim liderët opozitarë

  • A.P /
  • 26 September 2021 - 10:05
Kurti fton në takim liderët opozitarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim liderët e partive opozitare në vend.

Takimi i Kurtit me drejtuesit e partive opozitare është thirrur për ditën e sotme.

Ky takim pritet të mbahet pas takimeve të zhvilluara tash e shtatë ditë në veri të vendit.

Ende nuk është bërë e ditur koha e takimit të Albin Kurtit me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së Lumir Abdixhiku si dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Duhet përkujtuar që të hënën që po lëmë pas, Qeveria e Kosovës mori vendim për reciprocitet me Serbinë në kuadër të targave.

Kësisoj secili automjet që futet në Kosovë duhet paraprakisht të bëjë ndërrimin e targave zyrtare të Serbisë me targat e përkohshme të vendit.

Përpos pikës kufitare në Jarinje dhe Bërnjak ku serbët kundërshtuan dhe në formë revolte vendosën edhe barrikada për të ndaluar lëvizjen e lirë, në pikat e tjera kufitare shumica e tyre ndërruan ato pa shkaktuar ndonjë problem.

Tash e një javë në këto pika kufitare vazhdojnë të qëndrojnë ekipet e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë deklaroi se mënyra e vetme për zgjidhjen e këtij problemi është që Serbia ti mbajë targat e veta dhe Kosova të saj, në mënyrë që secili shtet të ketë përfaqësimin e saj, por që padyshim një gjë të tillë e kundërshton fuqishëm shteti serb.

(Kosova Sot Online)